Në Prishtinë, u zhvillua një ngjarje e rëndësishme në fushën e financave dhe qëndrueshmërisë ekonomike. Shoqata e Bankave të Kosovës (SHBK) dhe Korporata Ndërkombëtare Financiare (IFC), pjesë e Grupit të Bankës Botërore, nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi për promovimin e Financimit të Qëndrueshëm dhe standardeve Ambientale, Sociale dhe Qeverisëse (ESG) në sektorin bankar në Republikën e Kosovës.
Kjo marrëveshje është me rëndësi të veçantë për sektorin bankar në Kosovë dhe për zhvillimin e ekonomisë së vendit. Me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje, SHBK dhe IFC treguan përkushtim për të nxitur bankimin e qëndrueshëm dhe për të integruar aspektet mjedisore, sociale dhe qeverisëse në praktikat e tyre.
Në hapjen e diskutimit, Kryetari i Bordit të Drejtorëve të SHBK, z. Suat Bakkal, shprehu kënaqësinë e tij për pjesëmarrjen e sektorit bankar në rrugëtimin drejt një ekonomie të qëndrueshme. Ai theksoi se institucionet financiare kanë mundësi të kontribuojnë shumë duke ofruar mundësi të reja të financimit për projekte të qëndrueshme duke implementuar praktikat më të mira ndërkombëtare në përputhje me standardet ESG.
Ndërsa U.D. Zëvendës Guvernatori, z. Nexhat Kryeziu, nënvizoi rëndësinë e kësaj agjende zhvillimore për Republikën e Kosovës. Ai theksoi se sektori bankar është komponenti kryesor në ekonominë e vendit dhe ndikimi i tij është shumë domethënës. Andaj, z. Kryeziu theksoi se është synim i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) të lehtësojë rrugëtimin drejt një ekonomie të gjelbër duke përfshirë praktika më të mira mbikqyrëse dhe strategji të cilat do të shërbejnë si udhërrëfyes drejt zgjidhjeve të përbashkëta.
Kryeshefi Ekzekutiv i SHBK-së, z. Petrit Balija, nënvizoi rëndësinë dhe peshën e madhe të kësaj marrëveshjeje dhe potencialin e saj për të ndikuar në dekadat e ardhshme. Ai shprehu kënaqësinë që SHBK dhe IFC bashkëorganizuan këtë ngjarje dhe vlerësoi mbështetjen e BQK në këtë çështje. Balija theksoi se bashkëpunimi në këtë fushë kërkon bashkërendim të veprimeve nga të gjithë akterët dhe besoi se ky partneritet do të nxisë inovacion dhe do të hapë rrugë për qasje të reja në bankimin e qëndrueshëm.
Në përfaqësim të Zyrës për Kosovë të IFC-së, z. Visar Perani, tregoi përkushtimin e tyre në forcimin e mjedisit rregullator për ESG dhe mbështetjen e sektorit bankar në Kosovë. Ai njoftoi se kjo ngjarje është pjesë e aktiviteteve të shumta të IFC-së në drejtim të promovimit të Financimit të Qëndrueshëm dhe standardave ESG, dhe se të gjitha aktivitetet e IFC-së në Kosovë mbështeten nga Sekretariati Shtetëror Zviceran për Çështjet Ekonomike (SECO). Perani shprehu optimizmin e tij për bashkëpunimin me SHBK-në dhe besimin se Kosova, duke pasur këtë lloj bashkëpunimi, do të jetë lider rajonal në fushën e ESG, duke patur parasysh komponentin e fuqishëm të kapaciteteve dhe ndërgjegjësimit që ofron programi i tyre, i cili do të implementohet së bashku me SHBK-në.
Z. Blerim Terziqi, Këshilltar i lartë i Guvernatorit në BQK, përgëzoi sektorin bankar për përkushtimin e tyre ndaj kauzës së financimit të qëndrueshëm. Ai ndau me të pranishmit se BQK po punon në strategji që do të shërbejnë si periudha tranzicionale drejt një bankimi të qëndrueshëm në bashkëpunim me bankat komerciale të Kosovës.
Ky partneritet mes SHBK-së dhe IFC-së paraqet një vizion dhe përkushtim të përbashkët për nxitjen e bankimit të qëndrueshëm dhe integrimin e aspekteve ESG. Përmes këtij bashkëpunimi, SHBK dhe IFC do të punojnë ngushtë për të zbatuar strategji inovative, për të zhvilluar standardet e industrisë dhe për të promovuar bankimin e qëndrueshëm në mënyrë sa më efektive.
Kjo marrëveshje shënon një hap të rëndësishëm drejt ndryshimit dhe përmirësimit të praktikave financiare në Kosovë. Nëpërmjet këtij partneriteti, SHBK dhe IFC angazhohen të rrisin informimin dhe kapacitetin e sektorit bankar në lidhje me financimin e qëndrueshëm dhe të ndihmojnë në promovimin e standardeve ESG edhe te ndërmarrjet afariste si partner të rëndësishëm në arritjen e këtyre synimeve.
Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje është një sinjal i rëndësishëm për investitorët dhe institucionet financiare në Kosovë. Ajo shënon angazhimin e të gjithë palëve për të ndryshuar paradigmat tradicionale të bankimit dhe për të përqendruar burimet financiare drejt projekteve dhe iniciativave të qëndrueshme.
Në përfundim, marrëveshja e nënshkruar sot midis SHBK-së dhe IFC-së thekson përkushtimin e të dyja palëve për të promovuar financimin e qëndrueshëm dhe për të ndikuar në standarde të larta të ambientit, të shoqërisë dhe të qeverisjes. Kjo marrëveshje do të forcojë rolin e sektorit bankar në ndërtimin e një ekonomie të gjelbër dhe do të çojë në avancim të përgjegjësisë së korporatave dhe të tregut financiar në Kosovë.