Nëse demarkacioni nuk kalon këtë vit liberalizimi mund të shtyhet edhe për një kohë, për shkak edhe të zhvillimeve brenda BE-së, siç është dalja e Britanisë dhe kërkesa për referendume nga shtetet tjera për të dal nga BE.
Kështu ka thënë Xhavit Haliti në mbledhjen e Komisionit Parlamentar për Stabilizim Asociim, ku po flitet për procesin e liberalizimit të vizave për shtetasit e Kosovës, si dhe përgatitjet për takimin e II-të të përbashkët të Komisionit për Stabilizim Asociim BE-Kosovë, në Bruksel, 23-24 nëntor.
Ismet Beqiri nga LDK ka thënë se në takime që kanë me zyrtarë të njëjtë të njëjtë të BE-së, e gjerat po interpretohen ndryshe.
Kjo, sipas tij, po ndodh edhe me demarkacionin. Beqiri shprehet se demarkacioni është kusht.
Beqiri ka thënë se asnjëherë nuk do të pranojnë që ti dëmtojnë interesat e vendit.
Kërkohet prej Qeverisë që sa më shpejtë të formojë Komitetin për MSA-në
Komisioni Parlamentar për Stabilizim Asociim, Kosovë – BE, në mbledhjen e sotme të kryesuar nga Xhavit Haliti, nënkryetar i Kuvendit, njëherësh edhe kryetar i këtij Komisioni, mbajti sot mbledhjen e radhës.
Me këtë rast, Komisioni diskutoi lidhur me përgatitjet e agjendës së takimit të dytë të Komisionit Parlamentar për Stabilizim Asociim, Kosovë – BE, i cili do të mbahet me datë 23 dhe 24 nëntor, në Bruksel.
Në fillim të këtij takimi, anëtarët e komisionit diskutuan lidhur me procesin e liberalizimit të vizave, ndërkaq, kryetari i komisionit Haliti, vuri në pah qëndrimin e përfaqësueseve të BE-së lidhur me këtë çështje.
Ai njoftoi se gjatë takimit që kishte pasur me zv. kryetaren e PE-së, Ulrike Lunaqek, me kryetarin e Komisionit të PE-së për Integrime Evropiane, Tonino Picula si dhe raportuesen e posaçme të Parlamentit Evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën, Tanja Fajon, i është thënë se kushti i vetëm për Kosovën, e që lidhet me liberalizimin e vizave, është votimi i marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi.
Duke shprehur qëndrimin e tij lidhur me këtë, Haliti në vijim vlerësoi se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret, ndërkaq, e konsideroi të panevojshëm kushtëzimin e Kosovës me ratifikimin e marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi.
Për këtë çështje folën edhe anëtarët e tjerë të komisionit, ku u vunë re mospajtime të thella ndërmjet përfaqësuesëve të opozitës dhe të atyre të koalicionit qeverisës.
U vijua më pas me përgatitjet për takimin e radhës ndërmjet Komisionit Parlamentar për Stabilizim Asociim, Kosovë – BE.
Lidhur me këtë, Komisioni fillimisht i rekomandoi Qeverisë së Republikës së Kosovës që sa më shpejtë që të jetë e mundur të formojë Komitetin për MSA-në.
Po ashtu, Komisioni i rekomandoi Ministrisë së Punëve të Jashtme që të merret me rregullimin e Statusit Protokollarë të Komisionit Parlamentar për Stabilizim Asociim, Kosovë – BE.
Anëtarët e komisionit shprehën përkushtimin e tyre që në këtë takim të marrin pjesë sa më të përgatitur lidhur me temat që do të diskutohen me atë rast.