NATO tha se nëse mandati i Forcës së Sigurisë së Kosovës zgjerohet, Këshilli Veri-Atlantik do të duhet të rishqyrtojë nivelin e angazhimit në Kosovë.
“Çdo ndryshim në strukturë, mandat apo mision të Forcës së Sigurisë së Kosovës duhet të vendoset nga autoritetet e Kosovës. NATO e mbështet Forcën e Sigurisë së Kosovës me mandatin e tanishëm”, tha një zyrtar i NATO-s për Radion Evropa e Lirë.
Komentet vijnë në kohën kur Qeveria e Kosovës ka iniciuar tri ligje për miratim në Kuvend, përmes të cilave Forca e Sigurisë së Kosovës do të ketë kompetenca të njëjta si një ushtri e rregullt.
Ligjet janë proceduar pasi deputetët serbë kanë thënë se nuk do ta votojnë ushtrinë e ardhshme të Kosovës përmes ndryshimeve kushtetuese.