Partia Socialdemokrate (PSD) e kushtëzoi me pesë kërkesa, Qeverinë e Kosovës në këmbim të votës pro buxhetit për vitin 2019.
Ajo kërkoi: Ligji për dialogun, shkarkimi i ministrit të Bujqësisë, Nenado Rikalo si dhe funksionalizimi i plotë i kësaj ministrie, Ligji për Paga, zvogëlimi i numrave të zëvendësministrave, si dhe reforma e sistemit pensional, PSD jep votë për buxhetin e këtij viti.
Shefi i Grupit Parlamentar të PSD-së, Dardan Sejdiu në një intervistë për Ekonomia Online, thotë se nëse vetëm njëra nga këto kushte nuk do të plotësohet, atëherë nuk do të votojnë.
“Jo vetëm këtë kërkesë por edhe kërkesat e tjera pa u plotësuar nuk ka votë për buxhet nga Partia Socialdemokrate dhe ne kemi qenë specifik në kërkesat tona, qe besa kemi edhe zotimin publik të kryeministrit në seancën e fundit të sesionit të kaluar që do të plotësohen të gjitha “, tha Sejdiu.
Sa i përket Ligjit për Paga, Sejdiu pohon se kërkesa e PSD-së ka qenë konkrete dhe që e prek sektorin e shëndetësisë në vend.
Sipas tij, në këtë ligj ka ende hapësirë për rregullim.
“Në ligjin për paga kemi qenë edhe aty konkret kemi thënë që kërkesat janë të sektorit të shëndetësisë posaçërisht por edhe të sektorit të arsimit janë të rëndësishme, dhe mendoj që këto janë kërkesa të cilat duhet të plotësohen, gjithashtu ta keni parasysh që në projektligjin për paga ka ende hapësirë për rregullim dhe rirregullim, nuk mendojmë që pagat e njerëzve në politikë duhet të jenë të nivelit se çfarë janë përcaktuar, por kërkesa jonë ka qenë specifike dhe ka pas të bëjë me sektorin e shëndetësisë”, u shpreh Sejdiu.
Deputeti i Kuvendit të Kosovës thotë për Ekonomia Online se Ligji për ndarje buxhetore i Republikës së Kosovës, është tepër shumë i ngarkuar me skema sociale e benefite pensionale.
Sipas tij, janë plotë 465 milionë euro për skema të tilla.
Për gjithë këtë kauzë të skemave pensionale, Sejdiu tha se ata po kërkojnë një reformë e cila do kursente 100 milion euro nga buxheti, e nëse edhe kjo nuk plotësohet atëherë ata nuk do ta votojnë buxhetin për vitin 2019.
“Dikund në 22% e shpenzimeve buxhetore alokohen për 7% të popullsisë, MPMS-ja ka plotë 465 milion euro buxhet të cilat i përdorë për skema sociale, pensionale dhe invalidore, ne besojmë që me reformën që e propozon PSD-ja, e të cilën do mundohemi ta shtyjmë përpara me komisionin e veçantë që e kemi kërkuar për reformë pensionale, mund të kursehen plotë 100 milion euro, po e ripërsëris nëse një nga këto kërkesa tona nuk plotësohet ne votë për buxhet nuk japim”, tha Sejdiu.
Numri dy i PSD-së, tha se pavarësisht kërkesave të tyre, deputetët e kësaj partie do të vazhdojnë pjesëmarrjen e tyre si deputet në seancat e kuvendit, sipas tij, opozita duhet të bashkërendohet dhe të shtyjë përpara ligjet të cilat janë të rëndësishme për vendin.
“Nuk ka kuptim të jemi deputet, të marrim pjesë në komisione e udhëtime zyrtare, e mos të marrim pjesë në seanca ku diskutohen ligjet, një opozitë e mirëfilltë mund të bashkërendohet dhe të shtyjë përpara ligjet që janë të rëndësishme e të bllokojë apo të kthejë ligjet për të cilat mendon që janë të dëmshme”, tha nënkryetari i PSD-së.
Për Sejdiun shumë procese të vendit i ka shtyrë përpara opozita, në mesin e tyre edhe Ligjin për Mbrojtjen e Konsumatorit.
“Në punën time si deputet prej shtatorit te vitit 2017 mund të iu them se kemi qenë në gjendje të shtyjmë tema që janë të rëndësisë të veçantë edhe për vendin edhe për Prishtinën, si p.sh ligjin për Prishtinën, ligjin për eifiçiencë të energjisë, ligjin për mbrojtjen e konsumatorit, tash i keni flamurët në markete, këto janë punë që i kemi bë më shumë ne si opozitë e jo pushteti, pra pushteti ka sjellë ligje”, tha ai.
Përndryshe, kërkesat e PSD-së i ka pranuar kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj. Ky i fundit ka pohuar se do të plotësohen këto kushte, në mesin e tyre edhe shkarkimi i ministrit serb, Nenad Riakallo.
Kuvendi i Kosovës me 31 dhjetor të vitit të kaluar miratoi në parim Ligjin për Buxhetin e vitit 2019 me 62 vota pro. Ky buxhet i kundërshtuar nga opozita, sipas ekzekutivit pritet që të arrijë vlerën 2.3 miliardë euro.