Nëse nuk realizohen kërkesat e SBASHK-ut, në nëntor do të ketë grevë

Prishtinë | 29 Tet 2018 | 08:02 | Nga Ekonomia Online

Muaji nëntor mund t’i gjejë institucionet arsimore në grevë të përgjithshme. Këtë paralajmërim e ka dhënë Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) nëse brenda pak javëve nuk realizohen disa kërkesa të tyre.

Një nga shqetësimet e Sindikatës që e ka shtyrë të paralajmërojë grevë është mosngritja e koeficienteve të mësimdhënësve në Projektligjin për paga, shkruan sot “Koha Ditore”. Kjo meqë, në projektligj, punëtorët e arsimit të shkollave të mesme e kanë koeficientin 2.3, kurse Sindikata po kërkon që të jetë 2.7, ndërsa koeficienti i mësimdhënësve në arsimin e mesëm të ulët është 2, derisa Sindikata po kërkon të jetë 2.5.

Kërkesë tjetër e SBASHK-ut është që Projektligji për punëtorët e arsimit të viteve ’90, të mos pësojë ndryshime nga ai i cili është miratuar në Qeveri.

Sindikata ka shprehur dyshime se deputetët në komisione parlamentare gjatë shqyrtimit të projektligjit e kanë ulur shumën që do të duhej ta përfitonin punëtorët e arsimit të atyre viteve.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme