Ministri për Refugjatët dhe Migracion të Belgjikës, Theo Francken deklaroi se “nëse nuk zgjidhet kriza e refugjatëve, brenda disa vitesh Bashkimi Evropian do të shpërbëhet”.
Në një deklaratë për mediat para takimit të Këshillit të Brendshëm dhe Drejtësisë të BE-së në Luksemburg, Francken tha se Belgjika është gati të bëjë lëshimet e nevojshme nëse ndalohet rrjedha e refugjatëve.
“Evropa është një shtëpi dhe ne prej 3 vitesh po diskutojmë se cili në cilën dhomë do të qëndrojë. Por, fillimisht ne duhet të mbyllim derën e përparme dhe të pasme të shtëpisë”, tha Francken duke vënë theksin se në debatet mbi refugjatët në BE nuk diskutohet për problemet reale, raporton Anadolu Agency, transmeton Gazeta NewBorn.
Ai ka ka mbrojtur idenë se duhet të përqafohet “modeli australian” për të zgjidhur problemin e azilkërkuesve dhe se në këtë mënyrë do të ndërpritet plotësisht rrjedha e refugjatëve të paligjshëm dhe se mund të hapen dyert për refugjatët që vijnë në rrugë legale.
Francken thotë se me Tunizinë duhet të nënshkruhet një marrëveshje e ngjashme me marrëveshjen e nënshkruar më 18 mars mes BE-së dhe Turqisë dhe në këtë mënyrë mund të krijohet mundësia për dërgimin e sërishëm të refugjatëve në Tunizi të cilët vijnë nga Libia.
Ministri belg potencoi se vendet anëtare të BE-së nuk do të tregojnë solidarizim “pa u mbyllur të gjitha dyert” për refugjatët. “Po përgatisim fundin tonë. Nëse kriza me refugjatët nuk zgjidhet, brenda disa vitesh BE-ja do të shpërbëhet”, ka thënë Francken.