Nesër dorëzohet në MIA peticion kundër deponisë së hirit të KEK-ut

Prishtinë | 26 Maj 2020 | 17:43 | Nga Ekonomia Online

Rreth 32 organizata jo qeveritare do të dorëzojnë nesër në Ministrinë e Infrastrukturës një peticion kundër deponisë së hirit të Korporatës Energjetike të Kosovës.

Sipas një njoftimi niveli i pH-së në këtë liqen, por edhe mungesa e një sërë masash mbrojtëse, rrezikon jetën e njerëzve, kafshëve dhe ambientit në përgjithësi.

“Deri tani ky peticion ka mbledhur 350 nënshkrime individuale dhe ka marrë përkrahjen e 32 Organizatave jo-qeveritare(emrat e tyre gjeni bashkangjitur në email).”, është thënë në njoftim.

Tekstin e peticionit mund ta gjeni këtu:

Ne qytetarët e Kosovës jemi shumë të shqetësuar për shëndetin tonë dhe  për tërë ekosistemin në të cilin jetojmë.

Nëpërmjet këtij peticioni ngrisim zërin dhe kërkojmë sigurinë e jetës tonë dhe gjallesave tjera në këtë hapësirë të përbashkët. Ditëve të fundit, në vëmendjen tonë është deponia e hirit në Komunën e Obiliqit, apo siç ditëve të fundit ka marrë epitetin “Liqeni Maldiveve”.

Siç vlerësohet nga hulumtime të shumta serioze, ky “liqe” përbën një rrezik të lartë për shumë palë. Përveç dukjes mashtruese, nga ngjyra e veçantë që ka fituar, ky liqe vazhdimisht ka marrë edhe vëmendjen e shumë qytetarëve të Kosovës, të cilët janë të pavetëdijshëm në përbërjen e tij, rrezikun që i kanoset atyre në rast kontakti e shumë faktorë të tjerë.

Niveli i faktorit pH që vlerësohet të jetë 12 është pothuajse si domestos, kurse afërsia me Lumin Sitnica nënkupton infektim të ujërave nëntokësore dhe helmimit të tokës përreth. Këto janë vetëm disa nga shqetësimet tona. Për më tepër, tek ky liqe mungojnë edhe rrethojat që do të pengonin afrimin e qytetareve dhe shumë elemente tjera.

Ne nuk duam që bashkëqytetarët tanë të ngarendin spitaleve pas infektimit si rrjedhojë e kontaktit me këtë ndotje, dhe nuk duam që kafshët e shpezët të ngordhin aty, e as nuk duam që të mbjellim tokë të helmuar e të ushqehemi me materie kimike. E më e rëndësishmja nuk duam që fëmijët tanë të vdesin aty, as sot, as pas 100 viteve. Asnjëherë.

Prandaj, nëpërmjet nënshkrimit të këtij peticioni kërkojmë:
1. Urgjentisht, përreth liqenit, të vendosen shenja që informojnë këdo që afrohet se në liqe ka materie të rrezikshme dhe rrezikun që i kanoset në rast të kontaktit. Shenjat të jenë funksionale edhe për personat me mungesë shiqimi dhe/ose dëgjimi. 
2. Urgjentisht, uji të ngjyroset me ngjyrë të zezë, me qëllim që të ulë interesimin e qytetarëve. Ngjyra të jetë e përshtatshme për ambientin.
3. Sa më parë, të vendosen rrethoja, min 10 metra nga vija e liqenit, në mënyrë që të pengohet kontakti i qytetarëve dhe gjallesave tjera me këtë liqe. 
4. Urgjentisht, të krijohet një komision i përbërë nga ekspertë inxhinierë, kimistë, biolog, ambientalistë dhe fushave tjera relevante, që të analizojnë rrezikun dhe të propozojnë një zgjidhje afatgjate për këtë liqe. Propozimet të përfshijnë minimalizimin maksimal të rrezikut që i kanoset ambientit përreth. 
5. T’i lejohet casje shoqërisë civile të monitorojë nga afër tërë procesin e plotësimit të kërkesave tona. 

Ky peticion mbështetet nga organizatat dhe individe të shoqërisë civile, qytetarë të Kosoves, që e duam vendin të zhvilluar e token tonë të shëndoshë për ne dhe për gjeneratat e ardhshme. 

Dita e fundit për nënshkrim të fazës së parë të peticionit është: 24 Maj 2020
Dita e fundit për nënshkrim të fazës së dytë të peticionit është: 31 Maj 2020

Shënim: Ky peticion realizohet në dy faza, në mënyrë që autoritetet relevante të kenë kohë, që të reflektojnë për qëndrimin e tyre, duke analizuar zërin e qytetarëve varësisht nga numri i nënshkrimeve të fazës së parë dhe t’i japim hapësirë që të ndërmarrin veprime. Faza e dytë, do të jetë rikonfirmim i qëndrimeve tona, duke u mbështetur me nënshkrime shtesë. Për fazat tjera të aksionit, do të informoheni me kohë. 

Të ngjashme