Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për nesër (e martë) ka paralajmëruar se do të emërojë këshillat nëpër vendvotime, duke mos dhënë numrin saktë se sa do të jenë.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë për arbresh.info se nesër do t’i publikojnë të dhënat e sakta për numrin e vëzhguesve.
“Në bazë të planifikimeve, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve gjatë ditës së nesërme do të bëjë emërimin e këshillave të vendvotimit. Për numrin e saktë të tyre ne do të dimë gjatë ditës së nesërme”, ka thënë Elezi për Arbresh.info.
Arbresh.info ka raportuar sot gjatë ditës së dy partnerët e koalicionit LDK dhe AKR nuk kanë arritur të dakordohen për numrin e komisionerëve në Mitrovicë.
170 komisionerë sa i takojnë koalicionit LDK-AKR, arbresh.info mëson se vetëm 30 i ka ofruar LDK, gjë që ka shkaktuar probleme në mes partnerëve.
Edhe shefi i shtabit zgjedhor të AKR-së në Mitrovicë, Jeton Ujkani, e ka konfirmuar se kanë vështirësi, por nuk ka dashur të përmend se për sa komisionerë bëhet fjalë.