Nesër fillon gjykimi ndaj Pjetër Shalës në Hagë

Prishtinë | 20 Shk 2023 | 12:30 | Nga Ekonomia Online

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë nesër fillon gjykimi ndaj ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Pjetër Shala, ndaj të cilit rëndojnë akuza nën pretendimin për krime lufte.

Seanca është paralajmëruar se do të fillojë në ora 9:30, por do të transmetohet me 45 minuta vonesë.

Trupi gjykues në këtë çështje ka bërë të ditur se paraqitja e provave, përfshirë thirrjen e dëshmitarëve, do të fillojë më 27 mars të këtij viti.

“Mbrojtja ka bërë të ditur se pas deklaratës hyrëse të saj, z. Shala dëshiron të bëjë një deklaratë të shkurtër pa betim, me kohëzgjatje prej përafërsisht 5 minutash. Deri më tani janë pranuar tetë persona për të marrë pjesë në proces si viktima dhe procesi i paraqitjes së kërkesave për pjesëmarrje si viktimë është ende i hapur.

Personat të cilët mund të vërtetojnë se kanë pësuar dëm fizik, mendor ose material si rezultat i drejtpërdrejtë i një krimi të pretenduar në Aktakuzën e konfirmuar të korrigjuar, ende mund të paraqesin kërkesë për pjesëmarrje në proces. Këtu mund të përfshihen si personat që kanë pësuar dëm të drejtpërdrejtë ashtu edhe ata që kanë pësuar dëm jo të drejtpërdrejtë, për shembull, për shkak të lidhjes së ngushtë me një viktimë të drejtpërdrejtë që pretendohet se është vrarë ose lënduar”, thuhet në njoftimin e Dhomave të Specializuara.

Pjetër Shala po mbahet në qendrën e paraburgimit në Hagë prej marsit të vitit 2021.

Në paraqitjen e tij të parë, Shala ishte deklaruar i pafajshëm, ndërsa nesër i njëjti do të ketë mundësi të ri-konfirmojë këtë.

Të ngjashme