Nesër Kosova dhe Bosnja diskutojnë për taksën 100 për qind

Prishtinë | 23 Jan 2019 | 17:54 | Nga Ekonomia Online

Republika e Bosnjës ka kërkuar konsultime me Kosovën lidhur me taksën prej 100 për qind të vendosur nga autoritetet kosovare ndaj mallrave boshnjake.

Lajmin e ka konfirmuar për KALLXO.com ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala.

Sipas tij, ky takim do të mbahet në kuadër të CEFTA-s dhe do të mbahet nesër.

“Ashtu siç e parasheh marrëveshja e CEFTA-s, Bosnja ka kërkuar nga Republika e Kosovës konsultime ndërmjet dy shteteve anëtare. Në këtë rast konsultime ka kërkuar për masën e marrë nga Qeveria e Kosovës”, tha Shala.

Ministri tregoi edhe për përbërjen e delegacionit kosovar në takimin e nesërm me palën boshnjake.

“Ky grup që ka shkuar janë zyrtarë të MTI-së, të emëruar nga Ministria e Tregtisë në CEFTA. Kryesuesi do të jetë shefi i kabinetit Durim Limaj dhe drejtoresha e Departamentit të Tregtisë, Sytrime Dervisholli”, tha Shala.

Sipas ministrit, qëndrimi i delegacionit të Kosovës do të jetë i qartë: nuk do të hiqet taksa prej 100 për qind.

“Masa do të vazhdojë të jetë në fuqi përderisa nuk eliminohen arsyet që na kanë shtyrë drejt një vendimi të tillë”, theksoi Shala.

Qeveria e Republikës së  Kosovës më 9 nëntor të vitit të kaluar pati marrë vendim për vendosjen e masës 10 për qind për produktet e Serbisë dhe Bosnjë Hercegovinës duke përjashtuar këtu brendet ndërkombëtare.

Mirëpo kjo taksë nuk mbeti e tillë. Më 21 nëntor të vitit të kaluar, kjo taksë u rrit në 100 për qind.

Qeveria e Bosnjës vendimin për këtë taksë e kishte konsideruar të padrejtë dhe në kundërshtim me parimet e CEFT-as.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme