Nesër me 11 korrik, në ora 10:00, Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) organizon protestë para objektit të Gjykatës në Rahovec, për të kërkuar drejtësi për Antigona Morinën.
“Përmes kësaj proteste kërkojmë urgjentisht reagim adekuat nga Gjykata Themelore në Rahovec për rastin e të ndjerës Antigona Morina dhe dënim meritor për shkaktarin e vdekjes së saj, Hilmi Zenën. I njëjti ishte shpallur i pafajshëm nga po kjo gjykatë, ndërsa ankesa e bërë nga Prokuroria pas atij vendimi ishte zhdukur nga zyrtarët në Gjykatën Themelore në Rahovec”, thuhet në njoftimin e RrGK.
RrGK kërkon nga drejtësia kosovare llogaridhënie dhe seriozitet në trajtimin e këtij rasti, por edhe të rasteve tjera të ngjashme.
“Ju rikujtojmë që e ndjera kishte vdekur 6 vite më parë për shkak të hemorragjisë së vazhdueshme, tri ditë pas martesës. Atëkohë bashkëshorti i saj, Hilmi Zena, përpos që nuk i kishte ofruar ndihmë mjekësore, ka përkeqësuar gjendjen e saj duke vazhduar marrëdhëniet seksuale me të”, thuhet më tej në këtë reagim.