Kryesia e Kuvendit ka marrë vendim që nesër në ora 14 të mbahet seancë e jashtëzakonshme për ratifikimin e tri marrëveshjeve ndërkombëtare, raporton Ekonomia Online.
Seanca do të mbahet me kërkesës së opozitës – LDK, VV, PSD dhe dy deputetëve të pavarur.
Memli Krasniqi, shef i Grupit Parlamentar të PDK-së, pas mbledhjes së Kryesisë tha se LDK-ja vonë e ka kuptuar rëndësinë e këtyre marrëveshjeve, duke akuzuar partinë e Isa Mustafës se ka pamundësuar miratimin e tyre deri më tash.
Krasniqi shpreson që ky konsensus të ndikojë edhe sa i përket dialogut me Serbinë.
“Vonë mbrëmë na kanë lajmëruar për mbledhjen, nuk e kisha idenë çka ka ndodhur. Sot kuptova që LDK-ja e kishte zbuluar se marrëveshjet me BE-së duhet të miratoheshin më herët, tash 4 muajt e fundit kane bojkotuar punën e Kuvendit duke pamundësuar votimin e marrëveshjeve shumë të rëndësishme”.
“Kjo çështje ka qenë urgjente qysh kur ka ardhur, ka qenë LDK që ka mundësuar mos miratimin. Shpresoj që ky ndryshim i qasjes t’i ndjek edhe për ligjet e rëndësishme dhe dialogun me Serbinë, ku kemi një rezolutë që pret nga korriku për darkordim të mundshëm. Duhet të mendojmë për ata që na kanë zgjedhur e jo t’i ndërrojmë qëndrimet pas takimeve të dy tre miq”.
Në rend dite janë:
Votimi i Projektligjit nr. 06/L-090 për Ratifikimin e Marrëveshjes Financiare për IPA 2017, pjesa e parë, ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian,
Votimi i Projektligjit nr. 06/L-094 për Ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian mbi pjesëmarrjen e Kosovës në programin “Evropa për qytetarët”,
Votimi i Projektligjit nr. 06/L-095 për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Komisionit Evropian dhe Kosovës mbi pjesëmarrjen e Kosovës në “ERASMUS +” Programin e Unionit për Arsim, Trajnim, Rini dhe Sport.