Me foshnjën pranë vetes, Arlinda paloste rrobat e vogla të saj në valixhe – gati për të shkuar në shtëpi.
Në Klinikën e Gjinekologjisë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në Prishtinë, ajo solli në jetë fëmijën e parë – me peshë gati tre kilogramë.
Ishte një moment që e kishte pritur dhe imagjinuar gjatë gjithë shtatzënisë.
“Normalisht, jam e lumtur”, thotë ajo, “por më duhet edhe pak kohë që ta marr veten, sepse kam lindur me operacion”.
Vendimi për prerje cezariane erdhi në fund të procesit nga mjekët e saj.
Në aspektin emocional, ajo nuk ishte e përgatitur.
“…por mjekët e vlerësuan si të nevojshme dhe unë u binda”, thotë Arlinda, identiteti i vërtetë i së cilës është i njohur për redaksinë e Radios Evropa e Lirë.