Seriali “Neymar” është pasuruar me një episod tjetër që ndryshon linjën e diskutimeve për të ardhmen e futbollistit.
Ditët e kaluara u folur për kalimin pothuajse të sigurt të brazilianit në drejtim të Paris Saint Germain, por duket se situata është kthyer në favor të Barcelonës pasi 25-vjeçari ka vendosur të qëndrojë te katalanasit.
Ishte Gerard Pique ai që vendosi të qetësojë tifozët e Barcelonës teksa në rrjetet sociale postoi një foto të tij me Neymar të shoqëruar me mesazhin: Qëndron këtu. Një postim që gjeti një pasqyrim të gjerë në media sidomos atë katalanase, të cilat filluan të zbulojnë edhe detajet në lidhje me përpjekjet e bëra nga Barcelona për të mbajtur yllin brazilian në radhët e saj.
Sipas “Sport”, pasditen e së premtes Barcelona, nëpërmjet përfaqësuesve të futbollistit, morën sinjalet e largimit të Neymar nga skuadra.
Në këtë moment klubi vendosi të vërë në lëvizje të gjitha mekanizmat dhe këtu ishte edhe përfshirja e futbollistëve kyç të saj.
Mësohet se Lionel Messi dhe Luis Suarez zhvilluan një bisedë me Neymar që zgjati 1 orë, duke i shpjeguar rëndësinë që ka ai në skuadër, një lëvizje që më pas e bëri edhe vetë Pique, duke i thënë se nuk mund të largohet në këtë moment. Bisedat duken se patën efekt te Neymar që u duk i bindur për të qëndruar.
Kur u mendua se situata ishte në kontroll, në skenë hyri babai i Neymar, për të zhvilluar bisedimet me drejtuesit e klubit dhe palët u dukën te distancuara, duke bërë që të rritej pesimizmi te katalanasit.
Ditën e diel, situata duket se ndryshoi sërish për shkak të telefonatave të vazhdueshme të Bartomeut ndaj të gjitha palëve të përfshira në këtë çështje. Përfaqësuesit e Neymar konfirmuan për “Sport” se këto biseda e afrojnë akoma më shumë Neymar me Barcelonën, por gjithsesi kjo histori nuk është mbyllur ende, pasi është futbollisti atij që i takon të bëjë të ditur vendimin e tij…