IGJEUM dhe Shërbimi Meteorologjik Ushtarak parashikojnë reshje intensive shiu prej datës 22 deri më 26 janar në të gjithë territorin e vendit.
Bazuar në këto të dhëna Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, në Ministrinë e Mbrojtjes, në bazë edhe të ligjit “Për Mbrojtjen Civile”, paralajmëron bashkitë dhe prefekturat të marrin masat në mënyrë që kjo situatë të mos i gjejë të papërgatitur.
Sipas informacioneve të IGJEUM dhe SHMU intensiteti i reshjeve pritet të shkojë deri në 230mm/24 orë në zona të caktuara, si Qarqet veriore Shkodër, Kukës, Dibër, pa përjashtuar qarqet e tjera.
Duke qenë se këto rreshje, mund të ndikojnë në rritjen e nivelit të lumenjve kryesorë si Drini, Mati, Shkumbini, Vjosa, Semani dhe në veçanti të baseneve të Drinit, me pasoja të mundëshme në përmbytje, me qëllim ruajtjen e jetës dhe pronës së popullatës, gjësë së gjallë, objekteve të rëndësisë së veçantë, mjedisit dhe trashëgimisë kulturore, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civili kërkon nga pushteti vendor intensifikimin e punës për vënien në gatishmëri të strukturave operacionale vendore dhe qendrore. Po ashtu AKMC sugjeron marrjen e masave nga strukturat përgjegjëse për planifikimin dhe parapërgatitjen duke parashikuar, në rast se do të jetë e nevojshme, evakuimin dhe akomodimin e personave, si dhe të gjësë së gjallë.
Në shkresën dërguar këtyre institucioneve vendore AKMC u kërkon gjithashtu të organizojnë dhe të drejtojnë punën për inspektimin në vend të gjendjes së objekteve të infrastrukturës, të mjedisit, të gatishmërisë teknike të mjeteve, si dhe gjendjen e rezervave për të përballuar situatat që mund të krijohen.(Tch)