Nga data 5 shkurt do të fillojë aplikimi për njohjen dhe verifikim e statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës.
Kjo u bë e ditur gjatë lansimit të fillimit të procesit të aplikimit për njohjen dhe verifikimin e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës së fundit, raporton Ekonomia Online.
Kryeministri Ramush Haradinaj shprehu gatishmërinë e tij dhe qeverisë që drejton për të avancuar në përmbushjen e detyrave nga të gjitha palët e përfshira në këtë proces, në njohjen dhe verifikimin e statusit të viktimave dhe për përmbylljen e kësaj teme tragjike për shoqërinë kosovare.
Sipas tij, Qeveria e institucionet tjera ende kanë shumë punë për të bërë në mënyrë që kjo kategori të gëzojë në plotni të drejtën e jetës, dhe të drejtat që u takojnë me ligj.
“Pjesa më e vështirë veç sa ka filluar, ajo e njohjes dhe verifikimit të të mbijetuarve të dhunës. Në këtë proces nuk mjafton vetëm puna e Qeverisë, duhet të angazhohemi të gjithë që kjo pjesë e shoqërisë sonë ta gëzojë këtë të drejtë të munguar e të heshtur për shumë vite”.
Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica, tha se në bashkëpunim me dikasteret qeveritare do të vazhdohet me fazat e tjera të implementimit të ligjit për këtë kategori të shoqërisë.
“Për të ardhur deri këtu, kemi ndërmarrë një sërë vendimesh e aktivitetesh, të cilat nuk janë ndërmarrë ndër vite. Me njohjen e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës dhe realizimit të së drejtës së pensionit personal, nuk mund të themi se kemi përfunduar misionin tonë, ne duhet të angazhohemi edhe më tej, që kësaj kategorie t’iu ofrohet sigurimi e shërbimi shëndetësor i mirëfilltë, t’iu ofrohet punësim e aftësim profesional, arsimim kualitativ dhe rehabilitim për të gjithë ata që kanë nevojë”.
Kryetarja e Komisionit Qeveritar për Verifikimin e Statusit të Personave të dhunuar gjatë luftës në Kosovë, Minire Begaj, tha se kjo çështje duhet të trajtohet me dinjitet.
Ish-presidentja Atifete Jahjaga, tha se ka pasur vonesa në njohjen e statusit për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës.
Ajo tha se është shumë e lumtur që më në fund po arrihet t’iu mundësohet një jetë më e dinjitetshme atyre grave që padrejtësisht u ndëshkuan pas lufte.
Jahjaga kërkoi që në këtë kauzë të mos dështojnë se është turp sepse këtij komuniteti duhet t’ia japin vendin që e meriton.
Shefja e Zyrës së BE-së, Natalia Apostolova, ka premtuar përkrahje për personat e dhunuar gjatë luftës.
Apostolova me këtë rast tha se ani pse vonë, ajo është e lumtur që po përmbushet ky proces, dhe se BE-ja do ta përkrahë Kosovën edhe politikisht, por edhe financiarisht për të mbijetuarit.
Ambasadori britanik Ruari O’Connell premtoi përkrahje dhe përgëzoi qeverinë për lansimin e këtij procesi që sipas tij, është vonuar, ngase 18 vjet pas luftës të mbijetuarit nuk kanë gjetur drejtësi.
Vitin e kaluar qeveria ka marrë vendim për caktimin e pensionit për viktimat e dhunës seksuale gjatë kohës së luftën në Kosovë.
Sipas vendimit të Qeverisë, pensioni për këtë kategori do të jetë 230 euro. Në Kosovë figurojnë mbi 20 mijë viktima të dhunuara gjatë luftës së fundit, raporton EO.