Aktivistët e Vetëvendosjes, Frashër Krasniqi, Adea Batusha, Egzon Haliti e Atdhe Arifi, dëshirojnë të bëhen pjesë e Kuvendit të Kosovës, të hyjnë si “të zgjedhur të popullit” në ndërtesën për të cilën akuzohen se e sulmuan në gusht 2016.
Ekonomia Online i ka vizituar në shtëpitë e tyre katër kandidatët “unikë”, të cilët synojnë të zgjidhen deputetë, pa bërë fare fushatë në terren.
Frashër Krasniqi thotë se komunikimin me elektoratin do ta bëjnë përmes rrjeteve sociale. Por, shprehet se edhe banesa e tij do të përdoret si vendtubim për të gjithë qytetarët të cilët shprehin interesim për të vizituar atë.
“Është pak më problematike se normalisht nuk do të mund të dalim nëpër terren me takua me shumë njerëz… Mirëpo solidariteti i madh i njerëzve na ka mundësu me ba fushatë; sepse ka shumë qytetarë që vijnë e na vizitojnë”, shprehet Krasniqi.
“Fusha tjetër janë rrjetet sociale, ku ne do të kemi mundësi e kemi edhe më shumë kohë për me iu qasë njerëzve. Dhe besoj që në këtë mënyrë do të bëjmë aktivitetin tone gjatë fushatës”, ka thënë ai.
Por, Krasniqi tregon se do të bëjnë kërkesë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, që t’iu lejohet të dalin dhe të takojnë votuesit e tyre potencialë.
“Sa i përket ditës së votimit shumë shpejt do të bëjmë këtë kërkesë në mënyrë që të ushtrojmë të drejtën e votimit”, është shprehur Krasniqi.
Ai e pranon se do të kishte dëshirë të bëhet pjesë e Legjislaturës së Gjashtë edhe për një arsye – të përballet “sy më sy” me kolegët nga partitë e tjera, të cilët i kishte kundërshtuar jashtë ndërtesës së Kuvendit.
“Normalisht kisha pas shumë qejf që të përballem njëherë me ata deputetë të pushtetit. Dhe nëse unë do jem fitues, ata do të jenë opozitë”, thotë Krasniqi, i cili beson se Lëvizja Vetëvendosje. “Po do të kisha pas qejf me u përball me ta, por ky vendim iu takon qytetarëve të Kosovës”.
Teksa po fliste për procesin e tij gjyqësor së bashku me aktivistët e tjerë, Krasniqi shprehet se partia e tyre asnjëherë nuk do ta përdorte rastin e tyre, sikurse as vdekjen e Astrit, për përfitime partiake.
“Rasti jonë në përgjithësi do të përdoret për t’i vetëdijesuar njerëzit se çka po ndodh në Kosovë. Pra do të përdoret si shembull se qysh një sistem autoritar e përdor sistemin e drejtësisë për t’i stigmatizuar dhe për t’i njollosur kundërshtarët e vet politikë”.
Në mesin e “terroristëve” të Vetëvendosjes është dhe një femër – Adea Batusha.
Vajza që duket e brishtë e që s’do t’i bënte kujt keq, megjithëse kështu nuk mendo Prokuroria, është përfshirë në listën prej 110 kandidatëve të Vetëvendosjes për t’u bërë deputete.
Batusha thotë për Ekonomia Online se një listë e Vetëvendosjes nuk do të kishte kuptim nëse nuk do të kishte të përfshirë të rinj nga mosha, por edhe nga mendësia.
“Dallimi ynë substancial është se aktivistët e Vetëvendosjes nuk e shohin politikën si një mjet për përfitime personale, por si një gjë që i shërben qytetarit dhe vetëm kaq. Pra të qenit përfaqësues i popullit tënd do të duhet të shihej si një përgjegjësi e madhe dhe jo si privilegj personal”, thonë Batusha, teksa thekson qëndrimet e ditura të VV-së.
Batusha thotë se është e gatshme që në banesën e saj të mirëpres qytetarë të cilëve do t’ua paraqes plan-programin e saj dhe të partisë.
Duke folur gjithmonë për ngritjen e mëtutjeshme të partisë të cilën e përfaqëson ajo e zhgënjyer tha se nuk pret që Gjykata do të respektojë kërkesën për të qenë pjesë e fushatës zgjedhore.
“Nuk kemi kërkuar nga gjykata që të jemi të lirë, por nuk ma merr mendja që gjykata e lejon një gjë të tillë. Ii vetmi moment kur ne kemi të drejtë të marrim leje është në ditën e votimit, kur dhe do të dalim të votojmë”, ka thënë ajo.
E kandidati i cili diplomoi një ditë më parë në Psikologji, Atdhe Arifi, ka thënë se kandidimi i këtij grupi aktivistësh për deputetë është më shumë përgjigje ndaj “rastit të montuar politik” të gushtit 2016.
“Prej atij rasti, Lëvizja ka vendosur që neve të katërve të na dërgoj përpara. Dhe unë jam i bindur që ne do shkojmë përpara, sepse përkrahja që e kemi marrë vazhdimisht, kundër këtij pushteti të kapur që monton akuza politike na ka bërë të kuptojmë që ne do t’ia dalim përpara”, shprehet Arifi, për Ekonomia Online, që e vizitoi në shtëpinë e tij.
Fushatën e tij e ka menduar njëjtë si shoku i tij në arrest, Frashëri. Sipas tij, gjithçka do të ndodh virtualisht, por se a do marrin leje nga Gjykata për të qenë pjesë e fushatës zgjedhore apo jo, Arifi ka thënë se për këtë duhet të konsultohen me Lëvizjen.
“Për fushatën zgjedhore thash se duhet të diskutojmë me Lëvizjen edhe me shokët njëherë, sepse nuk kemi kështu ndonjë vendim zyrtar. Jemi në diskutime dhe do t’i shohim format e qasjes tonë në fushatë zgjedhore”, ka thënë ai.
Edhe Egzon Haliti, tash sa muaj qëndron në shtëpi. Thotë se kohën e kalon më shumë duke lexuar. Ai thotë se do të donte që të dilte në terren me shokët, sikur e quajnë njëri-tjetrin aktivistët e Vetëvendosjes, e cila pak para zgjedhjeve u regjistrua si parti.
“Neve na pamundësohet fushata në terren. Kishte me qenë mirë që edhe ne të jemi në terren jo vetëm për fushatën tonë individuale, por edhe të Lëvizjes, që t’i ndihmojmë në fitoren e sivjetme. Por, fushatën ne të katërt do ta bëjmë përmes rrjeteve sociale, e cila është e vetmja mundësi”.
“Nuk e di nëse ditën e votimit do të mund të jem i lirë nga gjykata. Po do të marrim leje, se me sa di unë edhe në burg kanë të drejtë të votojnë dhe e shoh të paarsyeshme që në arrest shtëpiak të mos mund të votojnë”, ka thënë Haliti.
Pjesë e aktivistëve të dyshuar për sulmin ndaj ndërtesës së Kuvendit të Kosovës ishte dhe Astrit Dehari, i cili vdiq në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.