Nga kampi “Enver Zymeri” në Mitrovicë, Kurti porosit policët specialë të vazhdojnë të luftojnë grupet kriminale

Mitrovicë e Jugut | 26 Kor 2023 | 18:18 | Nga Hasan Hoti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kampi ku janë të vendosura njësitet speciale të Policisë së Kosovës, i njohur deri tani si “Belvedere” në Mitrovicën e Jugut, nga sot do të mbajë emrin e heroit Enver Zymeri, i cili ishte vrarë 12 vjet më parë gjatë një aksioni për vendosjen e rendit dhe ligjit në veri të Kosovës.

Kryeministri Albin Kurti, së bashku me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, dhe drejtorin e Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, kanë parakaluar para njësiteve të rreshtuara, para se të zbulojnë pllakën me emrin e Enver Zymerit.

Kurti u zotua se përpjekjet për të sjellë para drejtësisë vrasësit e Zymerit nuk do të ndalen.

Në fjalën e tij në ceremoninë e policëve të rënë në detyrë, Kurti ka kujtuar edhe policët e tjerë të rënë në krye të detyrës.

“Jam jashtëzakonisht i nderuar që ndodhem sot këtu mes jush, për të shënuar së bashku ditën që përkujton 22 pjesëtarët e Policisë së Kosovës të rënë në kryerje të detyrës zyrtare”, tha ai.

“Këta 22 zyrtarë tanë policorë u përjetësuan në historinë e vendit tonë duke dhënë jetën në operacione kundër bandave dhe krimit të organizuar, në operacione për shtrirjen e rendit dhe sovranitetit, në ndërhyrje ndaj dhunës në familje, e në patrullime të rregullta”.

“E sot, teksa kujtojmë të gjithë ata, bëhen 12 vjet nga vrasja e Enver Zymerit nga strukturat kriminale. Kampi ku jemi mbledhur këtu, ka qenë dalja e fundit e Enver Zymerit drejt operacionit për shtrirje të sovranitetit dhe ligjshmërisë në dy pikat kufitare me Serbinë”.

“Qoftë i përjetshëm kujtimi për 22 pjesëtarët e Policisë së Kosovës të rënë në kryerje të detyrës! Lavdi Enver Zymerit!”

Kurti tha se Zymberi ishte rritur në një familje patriotike, dhe pasi zhveshi uniformën e UÇK-së, ai e veshi atë të Policisë së Kosovës. “Sakrifica e bijve tuaj janë shembulli më i mirë për gjeneratat e reja. Të jeni përjetësisht që secili djalë e vajzë betohet të ndjekin rrugën që bijve tuaj padrejtësisht u mbyll rruga”.

“Kampi ku do të angazhoheni bartë emrin që nga sot të Enver Zymberit; disa prej jush keni qenë bashkë e jeni të trajnuar së bashku. Vazhdoni drejtësisht për të garantuar rend dhe ligj, vazhdoni të luftoni ndaj grupeve kriminale”, porositi Kurti, policët e rreshtuar.

“Kampi ku do të vazhdoni të zhvilloheni e të angazhoheni, nga sot e tutje bartë emrin e Enver Zymerit. Shumë nga ju jeni nisur nga ky kamp drejt operacionit bashkë me Enverin, e madje keni qenë krah tij deri në momentet e fundit të jetës së tij. Jeni trajnuar e keni punuar, jo vetëm me të, por me të gjithë të rënët që sot s’i kemi mes nesh, por që i kujtojmë me krenarinë më të madhe”.

“Vazhdoni denjësisht drejt rrugës së tyre për të garantuar rend dhe ligj në Republikën tonë. Vazhdoni pa kompromis luftën ndaj bandave, ndaj krimit, e ndaj çdo veprimtarie që cenon sigurinë e qytetarëve tanë e të vendit tonë”, u shpreh Kurti.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se është nder që sot po nderojnë jetën dhe veprën e 22 zyrtarëve policorë që ranë heroikisht në krye të detyrës. Në vazhdim ai përmendi secilin nga ta me emër e mbiemër.

“Kemi zgjedhur pikërisht këtë ditë që në rënien e Enver Zymerit që të bëjmë zbulimin e pllakës… Kjo qendër deri më sot është quajtur Belvedere, sot e tutje do të quhet ‘Enver Zymeri’”, tha Sveçla.

Edhe Sveçla kërkoi nga organet e drejtësisë që kryerësit e vrasjes së policit, Enver Zymeri, t’i sjellin para drejtësisë dhe ata të marrin dënimin e merituar.

Para se të bëhej zbulimi i pllakës së Heroit Enver Zymeri në kampin “Belvedere”, kryeministri Kurti, zëvendëskryeministri Bislimi, ministrat Sveçla dhe Haxhiu, dhe Drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha bashkë me të birin e Enver Zymerit, Sokol Zymeri, bënë homazhe dhe vendosën lule të freskëta edhe te vendi i rënies së tij me 26 korrik 2011.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

I nderuar Zëvendëskryeministër i Republikës së Kosovës, z. Besnik Bislimi,

I nderuari ministër i Punëve të Brendshme, z. Xhelal Sveçla,

E nderuara ministre e Drejtësisë, znj. Albulena Haxhiu,

I nderuar Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, z. Gazmend Hoxha,

I nderuar drejtor i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, z. Petrit Ajeti,

I nderuar zëvendëskomandant i Forcës së Sigurisë së Kosovës, z. Enver Cikaqi,

I nderuar ushtrues detyre i Kryeprokurorit të Shtetit, z. Besim Kelmendi,

Të nderuar përfaqësues të institucioneve vendore e ndërkombëtare, menaxhment i lartë i Policisë,

Të dashur familjarë të policëve të rënë në krye të detyrës, të dashur pjesëtarë të Policisë së Kosovës,

Jam jashtëzakonisht i nderuar që ndodhem sot këtu mes jush, për të shënuar së bashku ditën që përkujton 22 pjesëtarët e Policisë së Kosovës të rënë në kryerje të detyrës zyrtare.

Këta 22 zyrtarë tanë policorë u përjetësuan në historinë e vendit tonë duke dhënë jetën në operacione kundër bandave dhe krimit të organizuar, në operacione për shtrirjen e rendit dhe sovranitetit, në ndërhyrje ndaj dhunës në familje, e në patrullime të rregullta.

E sot, teksa kujtojmë të gjithë ata, bëhen 12 vjet nga vrasja e Enver Zymerit nga strukturat kriminale. Kampi ku jemi mbledhur këtu, ka qenë dalja e fundit e Enver Zymerit drejt operacionit për shtrirje të sovranitetit dhe ligjshmërisë në dy pikat kufitare me Serbinë.

Enver Zymeri, i rritur e i edukuar nga një familje patriotike që ishte e përndjekur nga regjimi serb, pas uniformës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës vazhdoi shërbimin ndaj vendit me uniformën e Policisë së Kosovës. Ai është shembulli i qytetarit që u angazhua për të kuptimësuar lirinë. Nuk duhet dhe nuk do të pushojmë asnjëherë së angazhuari për të vënë dritë mbi rastin e drejtësi mbi dorasin që i mori jetën Enverit tonë. E bashkë me neve sot këtu është edhe djali i tij Sokoli, Sokol Enver Muharrem Zymeri.

Të dashura familje që jeni sot me ne,

Sakrifica e bijve tuaj është shembulli më i mirë që kanë para vetes gjenerata të tëra të Policisë së Kosovës. Ju i keni dhënë vendit tonë më të dashurit tuaj, teksa ata jetojnë gjithmonë mes nesh. Ata jetojnë në kujtimet më të mira e në përvojat më të vlefshme të kolegëve të tyre në Policinë e Kosovës.

Të jeni përjetësisht krenarë që secila vajzë e secili djalë nën uniformën e Policisë së Kosovës betohet të ndjekë rrugën që familjarëve tuaj i është ndërprerë padrejtësisht e tinëzisht në mes. Ata e ato e kanë para vetes shembullin më të qartë të shërbimit pa kursim ndaj vendit. Rënia në kryerje të detyrës e familjarëve tuaj, ka ngritur lartë dhe përjetësisht emrat e tyre në historinë e Policisë së Kosovës dhe të Republikës së Kosovës.

Të dashur pjesëtarë të Policisë së Kosovës që sot qëndroni ndershmërisht në këtë vend,

Kampi ku do të vazhdoni të zhvilloheni e të angazhoheni, nga sot e tutje bartë emrin e Enver Zymerit. Shumë nga ju jeni nisur nga ky kamp drejt operacionit bashkë me Enverin, e madje keni qenë krah tij deri në momentet e fundit të jetës së tij. Jeni trajnuar e keni punuar, jo vetëm me të, por me të gjithë të rënët që sot s’i kemi mes nesh, por që i kujtojmë me krenarinë më të madhe.

Vazhdoni denjësisht drejt rrugës së tyre për të garantuar rend dhe ligj në Republikën tonë. Vazhdoni pa kompromis luftën ndaj bandave, ndaj krimit, e ndaj çdo veprimtarie që cenon sigurinë e qytetarëve tanë e të vendit tonë.

Si Qeveri e Republikës së Kosovës do të jemi gjithmonë përkrah jush e bashkë me ju, për të ndarë së bashku përvojat më të mira e sukseset e shumta për t’u ballafaquar me çdo sfidë që mund të dalë para nesh.

Qoftë i përjetshëm kujtimi për 22 pjesëtarët e Policisë së Kosovës të rënë në kryerje të detyrës!

Lavdi Enver Zymerit!

Lavdi të gjithë këtyre!

Lavdi e përjetshme sakrificës së pashembullt të tyre!

Të ngjashme