Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Izet Sadiku, ka njoftuar të martën drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Kosovës (PK), Gazmend Hoxha, për të gjitha shërbimet që do të jepen falas në institucionet e kujdesit parësor shëndetësor në Prishtinë për të gjithë pjesëtarët e Policisë, raporton Ekonomia Online.
Sadiku bëri të ditur për gazetarët se kjo marrëveshje do të hyjë në fuqi nga 1 shkurti 2024, pas vendimit që ka marrë Kuvendi Komunal i Prishtinës.
Ai tha se ka njoftuar drejtorin e policisë në detaje për shërbimet që do t’i ofrohen pjesëtarëve të Policisë.
“Ne e kemi njoftuar drejtorin e policisë në detaje rreth shërbimeve të marrëveshjes se nga 1 shkurti do të përcjellin një mesazh tek të gjitha ambulancat tona dhe shërbimet që i japin qendrat e shëndetit në Prishtinë, edhe shërbimi shëndetësor i policisë do të bashkëpunoj me neve”
Ndërkaq, drejtori i PK-së, Gazmend Hoxha, tha se ky është një vendim i drejt dhe i mirëpritur për policinë.
Ai tha se shpreson të ketë policë të shëndoshë për t’i shërbyer qytetarëve të Prishtinës.
“Ne u njoftuam për vendimin e Asamblesë Komunale të Prishtinës, normalisht që është një vendim i drejtë dhe i mirëpritur, ne do të njoftojmë të gjithë policët e Kosovës që jetojnë në Prishtinë që ti shfrytëzojnë këto shërbime që i ka ofruar falas kryeqyteti, po shpresojmë të kemi policë të shëndetshëm dhe të kemi policë të gatshëm në shërbim të qytetareve të Prishtinës dhe gjithë atyre që jetojnë këtu”, tha ai.