Gjithnjë do ta kujtojmë Profesor Pajazit Nushin si një shembull të ndritur të humanizmit dhe fisnikërisë.
Në këtë përvjetor, përkujtojmë një intelektual të përkushtuar që dha kontribut të jashtëzakonshëm në ndriçimin e të vërtetës dhe përpjekjet për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur. Ai mbetet në kujtesën tonë si një mbrojtës i paepur i të drejtave dhe lirive të njeriut dhe një pishtar i dijes në shkencë dhe arsim.
Ne, që patëm fatin ta njohim nga afër dhe të punojmë me të, do të jemi përjetësisht falënderues dhe mirënjohës për përkrahjen dhe kujdesin e tij.
Profesor Pajazit Nushi do të mbetet gjithmonë shembëlltyrë e humanizmit dhe fisnikërisë.
Nga njohja personale
Profesor Pajazit Nushi ka udhëhequr Delegacionin e Kosovës në kuadër të Grupit Punues për Persona të Zhdukur , rreth 8 vite, në një angazhim të jashtëzakonshëm në përpjekje për të dhënë një kontribut për shoqërinë e para se gjithash për familjarët e personave të zhdukur. Prof Nushi edhe vet ishte familjar. Pas çdo takimi me një qasje edhe autokritike gjithnjë shtronte pyetjen: ‘Çfarë do t’iu themi familjarëve? Çfarë do të them edhe për nipat e mi?’
Ndërsa para çdo takimi me palën tjetër, mbante takimet e rregullta konsultative me anëtarët e Delegacionit dhe me gjithë ekipin e partnerët, përkundër angazhimeve të shumta që kishte. Takimet konsultative i kishte shndërruar në një rregull të pashkruar, në veçanti takimin përgatitor final një natë para takimit me palën tjetër. Përkundër angazhimeve të shumta dhe moshës , mbante shënime të hollësishme gjatë çdo takimi, me një bukur shkrim dhe një model të palosjes në katër pjesës të letrës A4.
Ashtu si takimet konsultative e përgatitore, si rregull të pashkruar i kishte shndërruar edhe telefonatat, po thuajse, çdo mbrëmje ( rreth orës 21:00), për të bashkëbiseduar mbi zhvillimet dhe rrjedhat ditore të aktiviteteve, meqë gjatë ditës nuk mbante telefon me vete.
Kjo (mos-mbajtja e telefonit) mund të ishte dhe një arsyeje shtesë për përpikshmërinë në çdo aktivitet, takim dhe angazhim të planifikuar e dakorduar paraprakisht.
Në çdo takim me partnerët dhe takimet me palën tjetër, fjalët e Profesorit ‘ishin pushtuese të vëmendjes e respektit te të gjithë të pranishmëve në takim’.
Një shembull (Gusht 2010): pas ri-inicimit të ‘rastit të Rashkës’ gjatë seancës së Grupit Punues për Persona të Zhdukur , të mbajtur mes dy delegacioneve me ndërmjetësimin e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, në Shkurt të vitit 2010, dy takime (seanca) më vonë, më saktësisht në takimin në Gusht 2010 kishim vendosur të ‘inicionim edhe kërkesën për personat e zhdukur nga masakra e Rrezallës’, bazuar në një ‘dokument me peshë në këtë proces, një dokumenti të Prillit të vitit 1999 të ish-Prokurorisë dhe Gjykatës së Qarkut të Mitrovicës (mbi bazën e të cilit kufomat e viktimave të masakrës së Rrezallës ishin ri-zhvarrosur në përpjekje të fshehjes së gjurmëve të krimit nga ish-Ushtria Jugosllave)’. Dokumentin në fjalë në Prill 2010 e kishim pranuar nga një aktivist tjetër i jashtëzakonshëm në këtë proces, i cili po ashtu është familjar dhe kishte udhëhequr për një kohë të gjatë Këshillin Koordinues të Asociacioneve Familjare të të Zhdukurve të Kosovës, z. Sheremet Ademi. Në momentin kur z. Ademi e dorëzoi dokumentin në fjalë kishte vetëm një kërkesë apo kusht : të përdorej ?
Dhe kështu ndodhi. Në takimin e muajit Gusht 2010, mes dy delegacioneve në kuadër të Grupit Punues për Persona të Zhdukur (mes Delegacionit të Republikës së Kosovës dhe Delegacionit të Serbisë) , që mbahej në Beograd, ishte iniciuar edhe ‘rasti i masakrës së Rrezallës’.
Krahas ‘dokumentit në fjalë’, me vete kishim edhe një ‘dosje për masakrën e Rrezallës, me fotografitë e gjithë personave të zhdukur, e përgatitur në mënyrë shembullore nga Arsimtari Hamdi Aliu nga Rrezalla, të cilën e kishim pranuar në Maj 2010.
Gjatë takimit të Grupit Punues, pas diskutimeve për rastet dhe çështjet tjera sipas agjendës, kah fundi i takimit Profesori ngritet nga ulësja e tij, për një sqarim plotësues, konsultim të shkurtër me ekipin dhe anëtarët e Delegacionit. Pyetja ishte nëse do të prezantonim numrin prej 35 viktimave (siç potencohej në ‘dokumentin e ish-Gjykatës së Qarkut të Mitrovicës’) apo numri prej 36 viktimave/personave të zhdukur në bazë të të dhënave zyrtare që kishim dhe sic ishte potencuar në ‘Dosjen e përgatitur nga Arsimtari Aliu. Pasi dhamë sqarimet e nevojshme , më të rinjtë në moshë që ishim, i kërkuam mirëkuptimin Profesorit që në raste të tilla të mos lëvizë ai, por jemi ne që mund të lëvizim. Por Profesori ishte i pakompromis në raste të tilla, e respektonte dhe e çmonte ekipin me të cilin punonte. Me qetësi dhe kujdes u kthy në ulësen e tij. Me kujdes dëgjonte e prezantonte në diskutimet për çështjet/rastet tjera sipas agjendës. Takimi shkonte drejt fundit dhe kishim përshtypjen që Profesori ose ndërroi mendjen për prezantimin e ‘rastit të masakrës së Rrezallës’ apo edhe mund ta ketë harruar për shkak të rasteve e diskutimeve të shumta. Sigurisht që kjo e fundit nuk mund të ndodhte, Profesori ishte mjeshtër i menaxhimit të takimeve , përfshirë edhe ato tensionuese Dhe në kohën kur Kryesuesja (nga radhët e KNKK-së) e takimit përgatitej të mbyllte takimin, Profesori kërkoi fjalën dhe mirëkuptimin e të gjithëve për kohën shtesë. E prezantoi jashtëzakonshëm, qartë e argumentueshëm kërkesën. Dhe siç ndodhte zakonisht fjalët e Profesorit ishin ‘pushtuese të takimit , të vëmendjes te të gjithëve’. Prezantimi i rastit të Masakrës së Rrezallës në kohën dhe mënyrën mjeshtërore nga ana e Profesorit , pati peshën , pothuajse, sa tërë pjesa tjetër e takimit.
Nga viti 2010, sic edhe dihet, kishin rifilluar gërmimet në Rudnicë, duke ri-kthyer në agjendë ‘rastin e Rashkës’. Dhe pas afro 4 viteve sfiduese e me vështirësi të mëdha, për shkak të qasjes politizuese e lojërave të palës serbe, u konfirmua ekzistimi i varrezës masive ‘Gurorja në Rudnicë’. Në këtë varr masiv janë gjetur dhe zhvarrosur eshtrat (mbetjet mortore) të 54 viktimave të luftës, kryesisht nga regjioni i Drenicës, përfshirë edhe 29 viktima nga masakra e Rrezallës.