Nga pandemia Covid 19 janë prekur 25 veterinerë

Prishtinë | 11 Dhj 2020 | 20:26 | Nga Ekonomia Online

Veterinari Agim Beqa nga Shtimja i pajisur me të gjitha mjetet për mbrojtjen e pandemisë anti covid çdo ditë lëviz nëpër terren për kontrollin e kafshëve.

Megjithatë vërehet se ka një rënie të intensitetit të punës si pasojë e masave kufizuese për shkak të pandemisë. Ai thotë se virusi Covid ka ndikuar shumë në punën e veterinerëve në terren.

“Jo pak, por ka ndikua shumë edhe në rënie edhe të intensitetit të punës tonë si veterinerë në terren, dhe për këtë shkak ne veterinerët kemi vështirësi. Pra punojmë, por jo me kapacitet qysh kemi punua më herët, sepse pikërisht është shkaktar Covid-i, virus Covid 19”, thotë ai.

Megjithatë ai shpreson që kjo gjendje e rëndë gradualisht do të kalojë. Pandemia Covid 19 nuk ka kursyer as veterinerët. Deri më tani rreth 25 veterinerë janë prekur nga kjo pandemi.

Një nga arsyet e rënies së intensitetit të punës është si pasojë e zvogëlimit të numrit të fermerëve në shkallë vendi. Beqa thotë se edhe në komunën e Shtimes numri i fermerëve është zvogëluar dukshëm.

“Thjeshtë nuk e kanë vullnetin për të mbajte kafshë, sepse nuk kanë ndoshta edhe stimulim prej institucioneve tona që na i kemi. Duhet të gjendet një zgjidhje që fermerët ta kuptojnë se bujqësia nuk është një resor i parëndësishëm në shtet. Siç është arsimi, siç është d.m.th., shëndetësia, ekonomia, të gjitha këto resorë, por njëjtë është edhe bujqësia, prandaj duhet edhe bujqësisë t’i jepet një rëndësi e veçantë”, thotë Beqa.

Ai ka apeluar që t’iu ndihmohet më shumë fermerëve në mënyrë që të kenë edhe ata stimulim më të madh që edhe ata të merren më shumë me blegtori.

Vetëm gjatë 24 orëve të fundit një e treta e testeve në laboratorin e Mikrobiologjisë molekulare në Institutin kombëtar të Shëndetit publik kanë rezultuar pozitiv.

Në Odën e Veterinerëve të Kosovës (OVK) thonë se nga kjo pandemi janë të prekur edhe veterinerët.

Kryetari i OVK-së, Arben Sinani, thotë se pandemia ka shkaktuar probleme në shërbimin e veterinarëve praktikë. Edhe tek veterinarët si komunitet sikurse pjesa tjetër e shoqërisë janë të rrezikuar si rezultat i punës së tyre të ndjeshme dhe urgjencave që kanë.

“Nga informatat që kam, prej 160 veterinarëve të anëtarësuar në Odën Veterinare të Kosovës, diku 23 – 25 vetë janë të infektuar me Covid 19, por fatmirësisht të gjithë janë shëruar dhe nuk kemi raste me fatalitet apo me humbje të jetës”, thotë ai.

Sipas tij nga momenti i pandemisë, deri më tani veterinarët nuk kanë ndërprerë aktivitetin dhe nuk ka pasur ndonjë ndikim negativ sa i përket ofrimit të shërbimeve të tyre në terren. Megjithatë puna e madhe në terren dhe kontaktet e shpeshta nuk ka lënë pa prekur as ata.

Ndryshe, orari për kufizimin e lëvizjes i marr nga Ministria e Shëndetësisë nuk vlen për veterinarët. I vetmi dokument që u duhet në rast se ua kërkon policia, është vërtetimi që dëshmon se jeni veterinar i licencuar ose kontrata e punës që punoni për një klinikë të licencuar.

Të ngjashme