Nga muaji qershor i këtij viti, Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, pritet të bëhet me softuer antiplagjiat. Përmes këtij sistemi do të mundësohet identifikimi i plagjiaturës në temat e diplomës të mbrojtura në këtë universitet.
Në këtë platformë do të futen temat e të gjitha niveleve, bachelor, master dhe doktoratë, shkruan sot Koha Ditore.
Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” përmes një përgjigjeje me shkrim ka bërë të ditur se tashmë e kanë shpallur tenderin për këtë softuer. Vlera e këtij projekti është 15 mijë euro.
“Mendohet, që nëse gjithçka me procedurat tenderuese shkon siç duhet, ky softuer të jetë i gatshëm në muajin qershor 2019”, thuhet në përgjigjen e UP-së.
UP-ja i ka thënë gazetës se pret që me instalimin e kësaj platforme, çështja e plagjiaturës të vendoset në binarët e zgjidhjes.
“Kjo nënkupton që studentët dhe profesorët do të kenë një instrument adekuat për detektimin e plagjiaturës në proces të punës akademike. Përveç të tjerave, softueri në fjalë do të rrisë shkathtësitë dhe vetëdijen për një punë autoriale të rëndësishme në institucion”, thekson Universiteti i Prishtinës.