Në kuadër të Javës Evropiane të Sportit, në Prishtinë po mbahet konferenca “Barazia gjinore dhe diversiteti”.
Në këtë konferencë, mes tjerash, është diskutuar evidentimi i ndryshimeve të fuqizimi të femrës në sport; gjendja në klube; gjendja në Federata; gjendja me trajnere, delegate, refere, zyrtare; ndikimi i qeverisë lokale dhe qendrore në fuqizimin e gruas, raporton Ekonomia Online.
Ministri i Sportit, Kujtim Gashi, tha se është fat i mirë që Kosova ka sportistë të dalluara, duke veçuar ato femra si Majlinda Kelmendi e Nora Gjakova të cilat sipas tij kanë sjellë një imazh ndërkombëtar për Kosovën.
“Te pjesëmarrja e femrave kemi një rritje të vazhdueshme. Kujtojmë se xhudistja Erëza e ka siguruar normë olimpike. Politikat programore të qeverisë avancojnë dhe mbështesin pjesëmarrjen e femrave na sport. Ne kemi hartuar disa rregullore, kemi rregulloren për kategorizimin e sporteve. Kjo rregullore favorizon rolin e femrave, si rrjedhore edhe financimi është më i madh”.
Gashi ka kërkuar nga federatat që të përfshijnë sa më shumë gjinisë femërore në radhët e tyre sepse sipas tij kështu respektojnë programin për këtë gjini.
“Do të vazhdojmë të kornizë. Rregullorja për kategorizimin e sportisteve u jep mbështetje më shumë femrave ndaj meshkujve, është 60 me 40 në favor të femrave. Ne inkurajojmë edhe KOK-un të krijojmë favore për gjininë femërore se deri tash na bëjnë të ndihemi krenar për rezultatet që i sjellin Kosovës”.
Edi Gusia, kryeshefe ekzekutive e Agjencisë për Barazi Gjinore në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, theksoi se agjencia e tyre është e përkushtuar në promovimin e Ligjit për Barazinë Gjinore.
Shqipe Zogiani, anëtare e bordit ekzekutiv të Komitetit Olimpik të Kosovës dhe kryetare e komisionit “Femra dhe Sporti” të KOK-ut, prezantoi sportet individuale femërore, ku veçoi atë të xhudos dhe kampionen olimpike në këtë sport, Majlinda Kelmendi.
Sipas saj, nga 19 mijë e 758 sportistë sa ka Kosova këtë vit, vetëm 3 mijë e 592 prej tyre janë femra.
“Pjesëmarrja në klube femra është 141, anëtare të bordit në federata 32, anëtare të bordit në klube 128, trajnere 99, refere 60, të tjera 19”.
Ajo prezantoi edhe statistikat për vitin e 2017, ku tha se këtë vit numri i femrave pjesëmarrëse është rritur, raporton EO.
“Kemi statistikat e 2017 kemi marrë shënime nga 18 federata sportive. Numri total i sportistëve ka qenë 16133, numri i femrës pjesëmarrëse në sport ishte 3118, anëtare të bordit në federata 35, anëtarë të bordit më klube 295, trajnere dhe refere 199”.
Zogiani u shpreh se përfshirja e femrave në pozita udhëheqëse është e kënaqshme. Ajo bëri të ditur se bordi i Komitetit Olimpik të Kosovës përbëhet nga 9 meshkuj dhe 5 femra.
Lumturie Muhadri, refere e licencuar nga UEFA, ish-futbolliste, tha se futbolli për femrat në të kaluarën ka qenë shumë i vështirë pasi u shpreh se nuk kanë pasur mbështetje.
Ajo ka rrëfyer problemet nëpër të cilat ka kaluar në kohën kur nuk kishin kushtet elementare e as me kë të garonin, pasi nuk ekzistonin klube futbolli të femrave.
“Formuam një klub por nuk gjetëm mbështetje. Dikur gjetëm një mbështetje nga klubi i futbollit të meshkujve ‘Kosova e Prishtinës’. Pastaj filluam si futbolliste por kemi hasur në vështërsi pasi s’ka pasur klube të femrave dhe s’kishim me kë të garonim”.
Muhadri tutje tregoi se si ka kaluar në referimin e futbollit të meshkujve dhe për përballjen me paragjykime të shumta.
“Si refere kam pasur vështirësi, ka pasuar paragjykime sepse referojshim futbollin e meshkujve. Jemi detyruar të përgatitemi në vetura, e kemi shfrytëzuar të për të ndërruar gardërobën”.
LEXONI EDHE:
http://cs13.temp.domains/~ekonomia/sport/hapet-java-evropiane-e-sportit-gashi-ben-thirrje-per-mbeshtetjen-e-grave-ne-sport/