Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, ka kërkuar së fundmi forcimin e pozicioni të BE në çështjet e politikës së jashtme në botë.
“Ne kemi qenë një kohë të gjatë jo të aftë për politikën botërore. Por rrethanat aktuale bëjnë që ne të përpiqemi më shumë për aftësinë tonë në politikbërjen botërore”, tha Juncker.
Evropa duhet të bëjë më shumë për të ruajtur interesat e saj, kërkon kreu i KE-së. Konkretisht Juncker synon që në të ardhmen, BE, në çështjet e “politikës së jashtme të butë”, të mos fiksohet tek parimi i unanimitetit, pra që të gjitha vendet e BE të bien dakord për një çështje të caktuar.
Sipas Junckerit, “detyrimi i unanimitetit na bën të mos e arrijmë aftësinë e politikës së jashtme në botë”.
Gjermania pro Juncker
Ndërkohë të shtunën (24.03) prononcohet edhe Gjermania mbi këtë propozim të Junckerit. Ministria e Jashtme gjermane e mbështetë propozimin e Jean-Claude Junckerit për çështjet e politikës së jashtme, është shprehur ministrit i Shtetit për Evropën në Ministrinë e Jashtme, Michael Roth (SPD) për revistën “Spiegel”, transmeton DW.
Roth ka thënë se “parimi i unanimitetit ua bën të lehtë atyre që duan të fusin nga jashtë një mikrob ndarës në BE”.
Mbështetje Rothi merr nga zëdhënësi për çështjet e politikës së jashtme i Unionit CDU/CSU në Bundestag, Jürgen Hardt (CDU), i cili e pranon një reformë të tillë.
“Vendimet me shumicë do të ishin një zgjerim i mençur i politikës së jashtme evropiane, dhe do të rrisnin aftësinë vepruese të BE”, ka thënë Hardt për “Spiegel”. Junckeri, i cili këtë propozim e bëri për herë të parë në Konferencën e Sigurisë në Mynih në shkurt, ka kërkuar në vend të unanimitetit një shumicë të cilësuar për vendimet e politikës së jashtme.
Reforma mund të prekë edhe Ballkanin Perëndimor
Ndërsa komisioneri i BE për zgjerimin, Johannes Hahn mund ta përfytyrojë praktikimin e këtij ndryshimi tek negociatat e anëtarësimit. Në vazhdën e negociatave të anëtarësimit jo patjetër duhet të gjitha vendimet të merren në formë unanime në BE, ka thënë ai po për revistën “Spiegel”.
Me shfuqizimin e parimit të unanimitetit mund “lehtësohet rruga teknike”. Sipas tij, vetëm “vendimi final”, pra anëtarësimi, “që është kaq fundamental, do të duhej të mbetej vendim unanim”.
BE ka paraqitur së fundmi strategjinë e re për Ballkanin, duke i ofruar Serbisë e Malit të Zi një vit konkret për anëtarësimin, vitin 2025, por ka hapur perspektivën për anëtarësim më të shpejtë edhe për Shqipërinë, Maqedoninë, Kosovën, Bosnje-Hercegovinën, kjo nëse plotësohen kushtet dhe reformat e duhura në këto vende.