Policia e Kosovës as sot nuk ka dhënë sqarime se çka në të vërtetë ndodhi mbrëmjen e së premtes, kur në sheshin “Zahir Pajaziti”, pak pas përfundimit të koncertit të rok grupit të njohur kosovar “Troja” u dëgjua një shpërthim.
Në raportin 24 orësh, Policia e Kosovës ka raportuar se në Sheshin “Zahir Pajaziti”, në Prishtinë në ora 22:07, ka ndodhë një shpërthim nga një mjet i paidentifikuar.
“Si pasojë e shpërthimit janë dëmtuar dritaret e një lokali. Njësitet përkatëse policore kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme policore në vendin e ngjarjes, duke kryer vend shikimin, ekzaminimin e vendit të ngjarjes. Procedurat hetimore lidhur me rastin janë duke u realizuar nga njësitet relevante policore. Nuk raportohet për të arrestuar e as të lënduar”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Mbrëmë është raportuar se Policia kishte marrë pamjet nga kamerat e sigurisë në lokalet përreth vendit të shpërthimit për të rënë në gjurmë të asaj që ka ndodhë.