Posta e Kosovës, nga sot lëshoi në qarkullim postar emisionin e pullave postare ”Shekulli i teknologjisë’’.
Vet emërtimi i tematikës prezanton zhvillimin e hovshëm të teknologjisë informative, e cila në të përditshmëri është bërë e pazëvendësueshme.
Qasja e shpejt në informacione të ndryshme dhe përpunimi i tyre ka afruar botën, ndërsa punën e njeriut po e lehtëson përmes inteligjencës artificiale, e cila po e karakterizon të sotmen.
Pamjet e dy pullave postare prezantojnë pjesën aplikative të teknologjisë në disa sfera të jetës.
Kosova është një vend ku ka rini të përgatitur dhe sot ofron shërbime të avancuara në fushën e teknologjisë, e është një ndër top shtetet Evropiane që ka arritur mbulueshmëri të 100% të vendit me internet të shpejtë.
Përpos dy pullave postare me pamje dhe vlera të ndryshme nominale, janë përgatitur edhe Zarfet e Ditës së Parë me vulë adekuate, të cilat tanimë janë në shitje për të gjithë koleksionistët, qytetarët dhe bizneset, që kur dërgojnë zarfe duan ta paraqesin shtetin tonë edhe përmes imazheve të këtyre pullave.
Posta e Kosovës, përmes Filatelisë së saj thotë se vazhdon të jetë promovuese e vlerave të vendit tonë dhe zhvillimeve që karakterizojnë shekullin.