Arijanet Muriq (Muric) është emri i lojtarit më pak të njohur që të shtunën ishte në stolin e Manchester Cityt, në ndeshjen që kampioni në fuqi i Anglisë e barazoi 1:1 në udhëtim me Wolverhamptonin.
Në stol te skuadra e Pep Guardiolas ishin lojtarë të konfirmuar si John Stones, Fabian Delph, Leroy Sane, Riyad Mahrez, Nicolas Otamendi e Gabriel Jesus, shkruan sot “Koha Ditore”. Në këtë mes dukshëm më pak i njohur është Muriq. Por jo më pak i rëndësishëm. Sidomos jo për Kosovën.
Muriq prej të dielës është portier i ri në përfaqësuesen e Kosovës në futboll. Portieri që të shtunën ishte rezervist i Edersonit të Manchester Cityt, të dielën iu bashkua Kosovës.
Kjo vlerësohet të jetë një ardhje shumë cilësore te Kosova në prag të fillimit të garës në Ligën e Kombeve të UEFA-s. Nuk është e sigurt nëse Muriq do të luajë në ndeshjet e shtatorit, por ai parashikohet të jetë përforcim i madh për Kosovën..