Nga Vitia, flet mjeku i izoluar shkaku i Coronavirusit

Prishtinë | 20 Mar 2020 | 08:51 | Nga Ekonomia Online

Adnan Çoçaj, mjeku i cili gjendet e izoluar në QKMF në Viti, ka thënë se kanë komunikim të rregullt edhe me familjarët po ashtu edhe me kolegët të cilët kanë qenë bashkë më të në izolim.

Ai në një lidhje direkte në emisionin në KTV ka thënë se në fillim në izolim kanë qenë 17 persona, përfshirë 5 mjekë, 11 infermierë dhe një mbështetës teknik.

Ai tutje ka shtuar se aty ku gjendet ai, hapësira është e pamjaftueshme për 17 persona, ndërkaq ka njoftuar se të tjerët kanë shkuar nëpër shtëpi private apo shtëpi të pabanuara.

“Unë jam këtu vetëm sepse kam pasur kontakt direkt me pacientin. Ditën kur kemi pas kontakt (me personin e konfirmuar me Covid-19) kam qenë me maskë, syza, dorëza. Ne kemi bërë një kontroll rutinë. Personi i dyshuar ka pritur në radhë si gjithë të tjerët”, ka thënë ai.

Ai thotë se pacienti ka qenë i rregullt për shkak të sëmundjes kronike që ka.

Çoçaj thotë se mundësitë janë minimale që të konfirmohet me Coronavirus, por se shton se mundësitë ekzistojnë, ndonëse sipas tij nuk ka simptoma të virusit.

Ai tutje ka bërë thirrje që qytetarët të qëndrojnë nëpër shtëpitë e tyre që t’i shmangen rrezikut nga prekja e Coronavirusit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme