Këtë vit plazhi në Shqipëri (dhe kudo në botë) duket se do të jetë ndryshe nga çdo herë tjetër. Në të gjitha plazhet e Shqipërisë duhet të respektohen rregullat e vendosura për të shmangur përhapjen e COVID-19. Report Tv ka siguruar draftin e hartuar nga Ministria e Turizmit dhe Ministria e Shëndetësisë me masat që duhen marrë në plazhe këtë sezon.
Sipas këtyre rregullave, çadrat do të vendosen 3 metra e gjysmë larg nga njëra-tjetra, në secilën prej tyre do të qëndrojnë vetëm dy anëtarë të një familjeje dhe fëmijët e tyre të mitur, ndërsa për të rriturit lejohet 1 person për ҫdo krevat plazhi. Gjatë larjes në det, duhet të respektohet distanca 3 metra larg nga njëri-tjetri, me përjashtim të rastit kur prindi kujdeset për fëmijën e mitur.
Disa prej masave:
• Përpara se të hyjnë në zonën e plazhit, pushuesve do t’u matet temperatura dhe do të plotësojnë një formular për t’u njohur me historikun e udhëtimeve dhe sëmundjeve.
• Në tavolinat në beach bar mund të qëndrojë vetëm një person ose më shumë persona, kur bëhet fjalë për anëtarët e një familjeje, si dhe fëmijët e mitur.
• Vrojtuesi i plazhit gjatë gjithë orarit të shërbimit duhet të jetë i pajisur me maskë dhe doreza profesionale. Ai duhet të sinjalizojë menjëherë personat që shkelin distancën e larjes në det apo distancat gjatë qëndrimit në hapësirën e lirë midis brezit të parë të çadrave dhe vijës së bregut të detit, liqenit, lumit.
• Të kufizohet numri i personave në katër për ҫdo dhjetë metra katrorë.
• Ndalohet instalimi i hapësirave për fëmijët (kënde/park lojërash), në funksion të shmangieve të grumbullimeve të personave.
• Në dispozicion të pushuesve duhet të ketë 1 dush me ujë të ëmbël për çdo 100 çadra, i cili duhet të pajiset me sapun, xhel higjienizues.
• Deri në përfundim të gjendjes së epidemisë së shkaktuar nga infeksioni COVID19, në të gjitha plazhet ndalohen aktivitetet sportive, kulturore, koncerte apo organizime të tjera të ngjashme.