Ngatërrim i prioriteteve në kohën e pandemisë

Prishtinë | 03 Pri 2021 | 14:17 | Nga Ekonomia Online

Kosova është përfshirë nga përplasjet politike për ndryshimin e ligjit të zgjedhjeve dhe zgjedhjen e presidentit, në kohën kur vendi po përballet me numër të lartë të të infektuarve me koronavirusin e ri dhe dëmet që ka shkaktuar pandemia në ekonomi e fusha të tjera.

Hana Xhemajli është specialiste për hulumtime të politikave globale shëndetësore. Sipas saj, sjellja e Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme në Kuvend të premten (2 prill), në kohën kur Kosova po përballet me një numër të lartë vdekjeve dhe të infektuarve nga COVID-19, është mjerim.

Edhe Organizata joqeveritare “Germin”, që merret me organizmin e diasporës, konsideron se në rrethanat aktuale, deri në zgjedhjen e presidentit të ri, të arsyeshme do të ishin vetëm nismat ligjore që kanë për qëllim parandalimin dhe menaxhimin e pandemisë.

Vetëm gjatë kësaj javë në Kosovë janë regjistruar 54 vdekje dhe 4,187 raste të reja me COVID-19.

Ndërkaq, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës dhe në spitalet e përgjithshme po trajtohen 856 pacientë.

“Numri i vdekjeve është rritur dukshëm. Kjo, përveç popullatës, duhet ta shqetësojë secilin politikan. Qeveria e udhëhequr nga kryeministri, Albin Kurti, është në pushtet nga 22 marsi dhe kam besuar që nga ajo kohë do të fillojë një qeverisje se si do të menaxhohet gjithë kjo rritje e numrave. A do të ketë mbyllje apo mbyllje të pjesshme”, thotë Xhemajli për Radion Evropa e Lirë.

Aktualisht, shton Xhemajli asnjë temë tjetër jashtë vaksinimit të popullatës dhe pandemisë nuk duhet të jetë prioritet. Numri i madh i të infektuarëve, shton ajo, është pasojë e një mosmenaxhimi të duhur të pandemisë COVID-19.

Kosova, duhet të fokusohet tek vaksinat, pasi sipas Xhemajlit, numri i vaksinave që ka ardhur është i vogël dhe nuk mund të llogaritet si hap në luftimin e pandemisë.

“Qytetari ka votuar që të jetë prioritet i qeverisjes dhe prioritet për momentin është shëndeti i qytetarëve, qoftë ai fizik, qoftë ai mendor. Mbrëmë është shpërfaqur një mjerim i gjithë kësaj”, tha ajo.

Në Kosovë, fushata e vaksinimit ka nisur më 29 mars, pasi shteti pranoi 24.000 doza të vaksinës së AstraZenecas. Këtë kontingjent të vaksinave, Kosova e mori falas nga programi COVAX i Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Ministria e Shëndetësisë së Kosovës njoftoi se deri në mesditën e së premtes, 1.228 qytetarë, profesionistë shëndetësorë dhe nëpunës të institucione shëndetësore janë vaksinuar kundër koronavirusit.

Të premten, kur pritej të caktohej seancë për votimin e presidentit të ri në Kuvendin e Kosovës, qeveria e Kosovës dërgoi në Kuvend për shqyrtim ndryshimin e Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme. Në këtë Ligj kërkoheshin ndryshime që t’i mundësonin diasporës të votojë në ambasadat dhe konsullatat e Kosovës nëpër botë. Por, propozimi i Lëvizjes Vetëvendosje që shqyrtimi të bëhet me procedurë të përshpejtuar në Kuvendin e Kosovës dështoi për shkak se opozita votoi kundër.

“Nuk është koha dhe momenti i duhur që të merremi më këtë projektligj, të hargjojmë energji të panevojshme, kur pandemia është duke na shkaktuar dëme të mëdha”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Lirim Krasniqi, hulumtues dhe analist i politikave në “Germin”.

Ekonomia prioritet, jo zgjedhjet

Ekonomia e Kosovës, ndërkohë, ka shënuar humbje gjatë kohës së pandemisë. Si pasojë e COVID-19, Fondi Monetar Ndërkombëtar, në raportin e fundit të publikuar në shkurt të këtij viti, ka vlerësuar se Kosova në vitin 2020 ka shënuar rënie të ekonomisë deri në 6 për qind.

Papunësia në Kosovë, sipas shoqatave ekonomike është rritur. Sipas të dhënave të Aleancës Kosovare të Biznesit gjatë kohës së pandemisë mbi 50 mijë qytetarë kanë humbur vendin e tyre të punës dhe kanë falimentuar rreth 20 mijë biznese të sektorëve të ndryshëm.

Kryetari i kësaj shoqate, Agim Shahini thotë për Radion Evropa se fokusi i qeverisë do të duhej të ishte në marrjen e vendimeve të cilat rikthejnë këto kompani në treg dhe të papunët në vendin e punës.

“Çdo ligj është i rëndësishëm për shtetin dhe vendin, por në këtë situatë në të cilën gjendet Kosova asgjë nuk është më e rëndësishme sesa ekonomia dhe shëndeti publik. Kosovës i duhen Ligje për rimëkëmbje ekonomike e investime të huaja dhe marrja e fondeve për mbështetje të ekonomisë dhe vaksinimi i qytetarëve që të rikthehet edhe ekonomia”, tha ai.

Bizneset në vazhdimësi janë ankuar se Qeveria e Kosovës ka ndihmuar shumë pak biznesin që të kalojë krizën.

Deri më tani Qeveria e Kosovës ka shpërndarë për sektorin privat vetëm 22 milionë euro. Kjo shëprnadrje ëshët bërë nga fondi 222 milionë eurosh, fond ky në kuadër të Ligjit për rimëkëmbje ekonomike.

Gjatë kohës së pandemisë, ekspertë të fushës së arsimit, kanë vlerësuar se sistemi arsimor nuk po arrin të realizojë objektivat e duhura.

Përveç nxënësve, nga fillimi i viti shkollor 2020/2021, me koronavirus janë infektuar 2.641 mësimdhënës (të dhëna të datës 2 mars).

Sindikata e Bashkuar për Arsim Shkencë dhe Kulturë ka kërkuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, që punëtorët e arsimit t’i kenë si prioritet për t’i vaksinuar me vaksinat kundër COVID-19.

Por, vaksinimi për mësimdhënësit ende nuk ka filluar.

Hana Xhemajli, specialiste për hulumtime të politikave globale shëndetësore, thotë se vaksinimi i popullatës duhet të jetë prioritet i Qeverisë.

“Nëse ne nuk e bëjmë prioritet vaksinimin, qoftë blerjen e saj apo marrjen donacion ne kemi dështuar shumë pasi që pandemia ka filluar në një valë të re. Derisa, disa vende po përballen më mbyllje totale ne nuk ndërmarrim asgjë”, thotë Xhemajli.

Drejtori i përgjithshëm i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi në një intervistë dhënë për Radion Evropa e Lirë më 1 prill ka bërë të ditur se patjetër duhet të ndërmerrën masa që të ulet lakorja e të infektuarve, sepse siç ka thënë ai ‘seriozisht janë duke i rrezikuar kapacitetet spitalore, të cilat janë buzë limitit’.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme