Dy dekada pas përfundimit të luftës Kosova arriti ta bëjë ushtrinë e saj. Vitin e kaluar Kuvendi miratoi tri projektligjet, të cilat ua jepnin FSK-së atributet ushtarake, por ekspertët e sigurisë vlerësojnë se transformimi i FSK-së është duke shkuar me hapa tejet të ngadaltë, shkruan sot Gazeta “Zëri”.
Është bërë gati një vit prejse Pakoja e Projektligjeve për Transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në ushtri është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës.
Por tash kur kanë kaluar rreth tetë muaj prejse është dekretuar ky vendim vlerësohet se ka pasur ngecje në transformimin e FSK-së përgjatë kësaj periudhe kohore.
Ekspertë të çështjeve ushtarake thonë se ngecjet kryesisht vërehen në çështjet që kanë të bëjnë me riorganizimin. Gjithashtu sipas tyre FSK-ja ka mundur të bëjë më shumë edhe sa i përket armatimit, shkruan më tutje Gazeta “Zëri”.
Por zyrtarë të Ministrisë së Mbrojtjes thonë se gjithçka është duke ecur sipas planit të paraparë. Ndërkohë, gjatë ditës së djeshme janë bërë dy dekada qëkur janë formuar Trupat Mbrojtëse të Kosovës (TMK).
Sipas njohësve të sigurisë kur është formuar TMK-ja nuk është menduar asnjëherë se do të kalonin gati 20 vjet derisa Kosova ta bënte ushtrinë e saj.