Projekti komunal për “Çarshinë e vjetër”, i paraparë për t’u filluar në fillim të këtij muaji, ka mbetur peng i lirimit të pronës nga AKP-ja. Ky institucion prej afro dy vjetësh është dashur ta lironte këtë hapësirë, porse kjo nuk ka ndodhur ende.
Zyrtarë komunalë të hënën e kanë pranuar ngecjen në realizimin e këtij projekti, porse kanë thënë se ai do të mund të fillojë në fund të marsit.
Por, pavarësisht nëse e liron AKP-ja pronën ky projekt duhet ta marrë miratimin e Komitetit ndërministror për partneritetin publiko-privat.
Drejtues të Komunës, në dhjetor të vitit të kaluar, patën thënë se nëse AKP-ja nuk e liron hapësirën Komuna do ta lirojë atë përmes ndërhyrjes edhe me inspektorat. Por, ky veprim nuk ka ndodhur.
E zyrtarë të Komunës konfirmojnë se nuk ka asgjë të re rreth lirimit të pronës nga AKP-ja.
“Po i besojmë premtimit të tyre se deri në fund të marsit do ta lirojnë atë pronë”, ka thënë Erzen Vraniqi, zyrtar për media në Komunë.
Kurse në lidhje me përfundimin e procedurave për projektin e ri, Vraniqi ka pohuar se ai do t’i dërgohet Komitetit ndërministror për partneritet publiko-privat dhe tek pastaj do të shkohet me procedura të tjera. (Koha Ditore)