Ligji për vettingun në Policinë e Shtetit parashikonte që komisionet e vlerësimit të ngriheshin para një jave, por bordi i përbërë nga 5 institucione me sa duket nuk po vendos për 5 anëtarët e jashtëm.
Burimet nga Ministria e Brendshme thonë se kjo vonesë nuk ndikon aspak në ecurinë e procesit. Kalimi i afatit ka ardhur për shkak të verifikimeve shtesë, që Shërbimi Informativ i Shtetit, por edhe institucionet e tjera të bordit po kryejnë për figurën e kandidaturave të përzgjedhura.
Vonesa lidhet edhe me numrin e lartë të aplikimeve, pasi më shumë se 100 persona janë interesuar të bëhen pjesë e trupave të vlerësimit apo Sekretariatit Teknik, raporton Tch, transmeton Klan Kosova.
Aktualisht nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave janë përzgjedhur 5 anëtarë. Po ashtu janë konfirmuar edhe 5 pedagogë nga Universiteti i Tiranës. Ndërkohë, 5 anëtarët e jashtëm pritet të formojnë 5 trupat e vlerësimit, që do të funksionojnë me nga 3 anëtarë, e njëjta formulë si në procesin e vettingut në drejtësi.
Edhe seancat për zyrtarët e policisë do të jenë të hapura për publikun dhe mendohet të zhvillohen në mjediset e Akademisë së Sigurisë. Në sitë fillimisht do të kalojnë rreth 300 efektivë me gradën “Drejtues”, duke nisur nga kryepolici Ardi Veliu, për të zbritur më pas në nivelin zbatues, që kap shifrën e 11 mijë uniformave blu që do të vlerësohen.