Ngërçi i (pa)tejkalueshëm: Një analizë sociopsikologjike e krizës politike në Kosovë

Prishtinë | 29 Qer 2026 | 10:55 | Nga Dashamir Bërxulli

Kosova zhvilloi para tre javësh zgjedhjet parlamentare, të tretat në një hark kohor prej 16 muajsh. Në kuptimin numerik rezultati i dalë nga kutitë e votimit praktikisht nuk garanton, që zgjedhja e presidentit, mosarritja e së cilës ishte arsyeja kushtetuese për shkuarje në zgjedhje, do të mund të bëhet vetëm nga partia me më shumti mandate në Kuvendin e Kosovës. Të paktën jo pa një koalicion domethënës me një ose dy parti parlamentare shqiptare. Në pamje të parë, ngërçi institucional në Kosovë ka karakter politik, i cili hera herës bartet artificialisht në rrafsh kushtetues. Por ka një dimension të rëndësishëm psikologjik, që qëndron në zemrek të bllokimit dhe zgjedhjeve të përgjithshme të njëpasnjëshme.

Një nga kontribuesit më të mëdhenj të mirëmbajtjes së krizës politike është polarizimi i shoqërisë dhe i vetë forcave politike. Lloji i polarizimit më i njohur dhe, shpesh, më i vlerësueshmi në këtë rrafsh është ai ideologjik midis partive politike, i cili vendos mejdanin e debatit politik dhe ofrimit të alternativave për qeverisje. Pavarësisht rreshtimit aktual ideologjik të partive parlamentare në Kosovë, është e vështirë të konstatohet një linjë konkrete konsistente ideologjike në politikat e tyre publike. Edhe pse partitë politike në momente të caktuara deklarojnë në forume publike bazën e tyre ideologjike, një vëzhgim i kujdesshëm dhe sistematik tregon, se ato nuk demonstrojnë një interes të politikanëve për t’u thelluar në këtë debat. Rrjedhimisht, nuk duket, se polarizimi i theksuar politik në Kosovë në më shumë se një dekadë tashmë i ka rrënjët thellë në ideologji.   

Polarizimi, që dominon jetën politike në Kosovë, është ai afektiv. Ka të bëjë me ndjenjat negative ndaj kundërshtarit, përkatësisht grupit politik, dhe përfaqësuesve të tij. Ndjenja të tilla si mospëlqimi, mosbesimi, zemërimi, armiqësia, etj. janë të zakonshme te polarizimi afektiv. Emocionet e tilla janë barriera të fuqishme në procesin e komunikimit politik ndërgrupor, duke penguar kompromisin në interes të vendit. Edhe kur ky komunikim ndodh, siç u pa në negociatat për zgjedhjen e presidentit në periudhën mars – prill të këtij viti, këto emocione mirëmbajnë mosbesimin midis negociuesve dhe përkrahësve të tyre, duke çimentuar istikamizimin e palëve në qëndrimet e tyre paraprake.  Polarizimi afektiv është shfrytëzuar si strategji kryesore e të bërit politikë në momente të ndryshme të historisë së re të Kosovës. Kjo ka sjellë përjetimin dhe vështrimin e jetës dhe aktorëve politikë nga votuesi pikërisht nga ky prizëm.

Shfrytëzimi i polarizimit afektiv për qëllime pushteti nga partitë politike synon në radhë të parë krijimin e emocioneve negative në nivel grupor dhe kolektiv ndaj grupeve të tjera politike. Kjo e bën më të lehtë përqafimin e kauzave të ofruara dhe përjetimin intensiv dhe me stres të anëtarësisë grupore apo mbështetjes për grupin politik në fjalë. Më pas, synohet ndikimi emocional i individit vertikalisht, duke kushtëzuar afektivisht qëndrimet e tij politike. Sidoqoftë, pasi ia arrijnë qëllimit, grupet politike e kanë të vështirë ta ndryshojnë këtë realitet menjëherë atëherë, kur nuk ia kanë më nevojën, duke u (vetë)detyruar ta mbajnë shoqërinë të polarizuar. Por edhe ndoshta nuk dinë ndryshe, sepse grupi politik ka zhvilluar mekanizma në këtë drejtim dhe nuk është aftësuar për të funksionuar në një atmosferë, ku dominojnë emocionet e moderuara. Në këtë mënyrë prodhohet një situatë artificiale rrethore, e cila prodhon iracionalitet, në kushtet kur arsyeja kërkon kompromis për çështje thelbësore të zhvillimit të vendit.

Në historinë e pasluftës në Kosovë ka pasur raste, kur ky zinxhir kushtëzimi i ndërsjellë midis ndikimit vertikal të liderëve për të polarizuar afektivisht marrëdhëniet midis partive politike dhe sjelljen e votuesit nga njëra anë dhe pamundësisë së vetë elitës politike për të dalë nga ky qerthull, është thyer vetëdijshëm dhe në interes të vendit. Një shembull tipik është koalicioni i ndërtuar nga Presidenti Rugova pas zgjedhjeve të vitit 2004. Rugova, si një lider i emocioneve të moderuara, me vizion dhe duke lexuar drejt nevojat e vendit për kompromis në një situatë të ngarkuar politike dhe shoqërore, pavarësisht se partia e tij ishte bindshëm fituese e zgjedhjeve, vendosi të ndajë pushtet, duke ofruar postin e kreut të ekzekutivit për AAK-në, një parti me një peshë relativisht të vogël në kuvendin e atëhershëm. Ky koalicion theu pozicionet e çimentuara të krahëve politikë, gjë që fillimisht prodhoi një efekt shtensionimi edhe në shoqëri. Por këtë mund ta bënte vetëm një lider si Rugova, që në sjelljen e tij politike dhe intelektuale karakterizohej nga toleranca, pozitiviteti, përjetimi i vërtetë i demokracisë dhe që nuk ishte investuar asnjëherë në nxitjen e pasuesve të tij drejt urrejtjes, përjashtimit, etiketimit dhe nxirjes së kundështarit me qëllim ardhjen në pushtet dhe mbajtjen e tij.  

Emocionet kolektive, që rrjedhin nga polarizimi afektiv, e shtyjnë individin drejt sjelljeve votuese dhe të tjera, që përputhen me qëndrimet politike të kushtëzuara nga gjendja e tij emocionale. Në këtë rast identiteti brendagrupor theksohet dhe përjetohet në mënyrë tejet pozitive, duke bërë që individi të jetë më pak kritik ndaj veprimeve të grupit të tij. Kështu, mendimet dhe sjellja e individit janë nën ndikimin e plotë të emocioneve të grupit, duke mos vënë në dyshim, madje edhe më skajshëm, duke justifikuar dhe mbështetur plotësisht çdo gjë, që vjen nga grupi, anëtar i të cilit është. Ndërkohë anëtarët e jashtëgrupeve, pra, anëtarët grupeve të tjera, shihen në mënyrë negative armiqësore homogjenizuese. Në këtë aspekt veçanërisht zemërimi kolektiv i një grupi është një emocion veçanërisht i dëmshëm në këtë aspekt. Nëse e zbatojmë çka u tha më lart në përpjekjet për të kuptuar burimet e gjuhës së urrejtjes në jetën e përditshme dhe online,  atëherë del e qartë, që ky lloj identiteti social dhe politik këtë lloj gjuhe e ka instrumentin kryesor të betejës politike. Kjo është arsyeja, që nuk mund të jemi më të kënaqur vetëm me votimin e rregullt në zgjedhje dhe numërimin e saktë të votave pas tyre. Edhe pse ato qëndrojnë në themel të jetës demokratike dhe institucionale, zhvillimi i demokracisë mund të minohet nga faktorë të tjerë si polarizimi afektiv, efekti i të cilëve në shikim të parë është i pavërejtshëm.    

Një nga efektet thelbësore të polarizimit afektiv është edhe presioni për konformizëm ndaj anëtarëve të partive politike. Nuk ka asnjë dyshim, që një shkallë konformizmi ndaj grupit politik, është kusht minimal për ekzistencën e grupit. Sidoqoftë, polarizimi afektiv ndikon drejtpërsëdrejti te shuarja e zërave brenda grupit me mendim të moderuar. Përtej deklarimeve për interes kombëtar apo shtetëror, përgjithësisht kërkesa për konformim, kur në grupin politik mbizotërojnë ndjenjat e armiqësisë dhe zemërimit ndaj grupit tjetër, rrjedh nga një nevojë e identitetit social shumë më tepër se sa i një aspekti ideologjik apo kombëtar. Kjo pengon interlokutorë me kredencialet e duhura për të lëvizur në drejtim të afrimit të palëve për kompromis, por të cilët, nga frika e përjashtimit dhe linçimit nga grupi i përkatësisë, qëndrojnë anash. Ose, edhe më keq, zgjedhin të bëhen zëdhënës dhe mbrojtës të linjës politike, të cilën intimisht nuk e mbështesin.

Polarizimi afektiv ndikon në rritjen e ndasive në shoqëri, duke i bërë grupet e interesit më pak të predispozuara të komunikojnë me grupet e tjera. Kështu, dëmtohet kohezioni social, sepse gjendja emocionale dominante e individit dhe grupit përkatës është negative. Polarizimi afektiv ndikon edhe vetë performancën në qeverisje të grupit të caktuar politik, që e ka shfrytëzuar atë si mjet politik. Që një shoqëri të ecë përpara, kërkohet që energjitë dhe kapacitetet e secilit individ dhe grup të aktivizohen, duke u dhënë rremave në të njëjtin drejtim. Duke e parë tjetrin negativisht, me mosbesim, me zemërim dhe armiqësi, kjo gjë është e pamundur të ndodhë.

Anëtarët e grupit politik, të cilët i shohin në mënyrë të tillë kundështarët politikë ose mbështetësit e tyre, vjen një moment, që ndjejnë tension apo zbrazëti emocionale. Polarizimi afektiv mund ta bëjë individin, që të injorojë faktet apo t’i përzgjedhë ato në mënyrë selektive për një kohë të caktuar, por herët a vonë tabloja e përgjithshme e shtetit dhe vendit nuk ka se si të mos shfaqet e plotë dhe pa nuanca. Atëherë pason zhgënjimi dhe humbja e thellë e besimit ndaj elitës politike dhe jo vetëm ndaj kundërshtarit politik. Kjo rezulton në mosbesim të përgjithshëm të qytetarit në drejtimin në të cilin po shkon vendi, mosinteresim për zhvillimet shoqërore, ulje të pjesëmarrjes së tij në jetën publike dhe politike, migrim, një sjellje konservatore ekonomike, madje interes më i pakët dhe përftim i kënaqësisë më të ulët nga aktivitete sociale. Në zgjedhjet e fundit parlamentare u pa qartë, që mungesa e stabilitetit politik tashmë ka ndikuar, që një shumicë, gjithnjë e më e madhe, e qytetarëve të manifestojë një përjetim të tillë të elitës politike.  Nëse do të ketë vazhdimësi të krizës dhe nëse partitë politike, kush më shumë e kush më pak, do të vazhdojnë t’i fryjnë prushit të polarizimit afektiv, atëherë do t’i bëjnë shërbimin më të keq të mundshëm vendit. Dhe këtë nuk ia ka borxh askush.

* Autori është profesor në Universitetin e Prishtinës dhe Ambasador i Shoqatës Europiane të Psikologjisë Sociale

Të ngjashme