Ngjarjet e 2020-s e kanë inspiruar artistin The Weeknd për albumin e radhës

Prishtinë | 30 Dhj 2020 | 12:54 | Nga Ekonomia Online

The Weeknd ka filluar të punojë në albumin e radhës që vjen pas “After Hours”, dhe këngëtari së fundmi ka deklaruar se ky incizim është inspiruar nga pandemia e koronavirusit dhe protestat e lëvizjes “Black Lives Matter”.

Ylli i njohur i muzikës emri i vërtetë i së cilit është, Abel Tesfaye, po ashtu tha se ngjarjet kryesore që e kanë karakterizuar vitin 2020, e kanë bërë atë më të inspiruar dhe kreativ nga ana muzikore.

“Gjatë kësaj pandemie jam inspiruar më shumë dhe kam qenë më kreativ se kur kam qenë duke udhëtuar me turne. Pandemia, protestat e ‘Black Lives Matter’, dhe tensionet e zgjedhjeve presidenciale në Amerikë, në përgjithësi e kanë krijuar një ndjenjë mirënjohjeje për ato që i posedoj në jetë dhe raportet që i kam me njerëzit e mi të afërt”, citohet të ketë thënë këngëtari kanadez.

The Weeknd gjithashtu tha se albumi i lansuar në shkurt të vitit 2020, “After Hours”, është ndër projektet më të mira që i ka realizuar në dekadën e fundit. Prandaj shumë njerëz kishin mbetur të habitur kur ky incizim nuk arriti të nominohet në asnjë kategori të shpërblimeve “Grammy”.

Këngëtari kishte reaguar edhe publikisht ndaj shpërfilljes së albumit të tij, nga organizatorët e ceremonisë kryesore të muzikës në botë, duke e postuar një mesazh në Twitter ku shkruhej: “Shpërblimet ‘Grammy’ vazhdojnë të jenë të korruptuara. Ju më keni borxh mua, adhuruesve dhe industrisë, transparencë”.

Pavarësisht kësaj, albumi “After Hours” është pritur jashtëzakonisht mirë nga publiku mbarëbotëror. Këngët e tij kanë shënuar rekord të shkarkimeve nëpër platformat muzikore, kanë qenë ndër më të dëgjuarat nëpër radiostacione, dhe pothuajse secila prej tyre është shndërruar në hit.

The Weeknd shënoi suksese të jashtëzakonshme në ceremoninë “American Music Awards”, ku u nderua me tri shpërblime, “Artisti më i mirë”, “Albumi më i mirë” dhe “Kënga më e mirë Soul/R&B”.

Ndërkaq, në fillim të këtij muaji, këngëtari e lansoi një version të ri të hitit “Blinding Lights”, në bashkëpunim me artiste lantine Rosalía.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme