Ngrihet aktakuza për vrasjen me sëpatë në Pejë, i akuzuar edhe i biri i viktimës

Prishtinë | 25 Jan 2018 | 13:35 | Nga

Prokuroria Themelore në Pejë, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit F. Ll. për veprat penale “Vrasje”, “Vrasje e mbetur në tentativë në rrethana të tejkalimit të mbrojtjes së nevojshme” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të pa autorizuar të armëve”.

Kurse kundër të pandehurit F.G. është ngritur aktakuzë për veprat penale “Vrasjes e mbetur në tentativë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të pa autorizuar të armëve”, të gjitha sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Sipas aktakuzës, i pandehuri F.Ll. më 14.09.2017, pas një mosmarrëveshje që kishte me viktimën I.G. hynë në oborrin e këtij të fundit merr një sëpatë dhe e godet viktimën në pjesën e sipërme të kokës dhe në vetullën e djathtë. Si pasojë e kësaj, I.G. kishte vdekur.

Ndërkaq, i pandehuri F.G. me të kuptuar se prindi i tij ka nderuar jetë, i mllefosur, merr një pistoletë dhe niset në drejtim të shtëpisë së të pandehurit F.Ll., ashtu që me t’u afruar afër saj shtie një herë, e më pas shkon tek dera e oborrit futë dorën brenda dyerve dhe në një distancë prej 4-5 m shtënë disa herë në drejtim të pandehurit F. Ll. mirëpo nuk kishte arritur ta godasë.

Me të vërejtur këtë situatë i pandehuri F.Ll. me qëllim që ta zmbraps sulmin nga vetja nxjerr një armë dhe me të shtie 7 herë në drejtim të pandehurit F.G. të cilin e godet me tre plumba. Ai ishte dërguar urgjentisht në spital.

Të pandehurit me këto veprime kanë përmbushur elementet e veprave penale të përshkruara sikur më lart.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që të pandehurit t’i shpallë fajtorë dhe t’i dënojë sipas ligjit për veprën penale të cilat i’u vihen në barrë.

Rasti kishte ndodhur më 14 shtator të vitit të kaluar në lagjen “Dardania” të Pejës. Me këtë rast, i vdekur kishte mbetur Idriz Gega, kurse i biri i tij, Ferid Gega, ishte plagosur.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme