Mbi librin e Enver Hoxhajt “Ngritja e një shteti: Politika e Jashtme e Kosovës”, Botimet DUDAJ, Tiranë: 2016, 436 fq.
Enver Hoxhaj, në librin e tij “Ngritja e një shteti: Politika e Jashtme e Kosovës”, përtej kornizës teorike, diskutimit të premisave bazike dhe përshkrimit të shumë përvojave të tij e të shtetit të Kosovës, ka bërë një ftesë intelektuale për mendim strategjik mbi pozicionimin ndërkombëtar e rajonal të Kosovës, si dhe për mosdorëzim të shtetit të Kosovës në këtë rrugë të vështirë dhe me plotë sfida.
Theksi intelektual dhe institucional i këtij libri, për bindjen time prej lexuesi, bie saktësisht në katër elemente themelore, të renditura këtu jo sipas rëndësisë:
Së pari, politika e jashtme e Kosovës detyrimisht është krejtësisht unike, duke u bazuar në synim për fuqizim të subjektivitetit shtetëror (edhe pa aplikim për anëtarësim në OKB), në të cilin synim ndërlikueshmëria e brendshme është po aq vështirësuese sa edhe brutaliteti në botën e vërtetë;
Së dyti, pozicionimi ndërkombëtar dhe rajonal i Kosovës do të ketë sfida afatgjate, me plotë vështirësi, pa ditë të lehta dhe me shumë kokëçarje. Kështu, mungesat e sotme rrezikojnë të shumëfishohen, sikurse janë shumëfishuar gjatë viteve nëpër kriza dhe paraliza;
Së treti, shtetet e vogla angazhohen në politikën ndërkombëtare duke u gjetur strategjikisht ndërlidhjen me shtete të caktuara me fuqi globale apo rajonale; dhe
Së katërti, politika e jashtme nuk duhet të bazohet në iluzione dhe entuziazëm, por në premisa ideologjike, qofshin edhe të kombinuara, përmes fuqisë së zgjuar, zvogëlimit të ndërlikueshmërisë dhe, mundësisht, largimit të plotë të paparashikueshmërisë.
Por, fatkeqësisht, aftësia e të menduarit strategjik për rrugën e Kosovës në pozicionimin e saj ndërkombëtar dhe rajonal duket momentalisht më shumë përfundim i dëshiruar, duke u bazuar në dëmtimin e skajshëm të kulturës politike brenda nesh, sidomos në këto dy vjetët e fundit. Një kulturë e tillë politike këndejpari ka ndryshuar për të keq të menduarit strategjik, që kishte zënë rrënjë në Kosovë gjatë dekadave të kaluara.
Sikurse Hoxhaj e përshkruan në pjesën e parë të librit, në vitet e 1990-ta dhe të 2000-ta, ka ekzistuar një qartësi strategjike e Kosovës. Që nga ndërtimi intelektual i platformës për pavarësi, nga brenda fillimisht, por me ndikimin e fuqishëm të mërgatës shqiptare të Kosovës në SHBA dhe në vende të rëndësihme evropiane. Pas kësaj, kapjes së momentit historik, sidomos pas Konferencës së Dayton-it, për të ndryshuar formën e rezistencës nga paqësorja e sukseshme fillimisht në ndërtimin e komunikimit direkt ndërkombëtar, por jo krejtësisht e efektshme mëpastaj, në luftë çlirimtare, që sukssesshëm kishte për synim çlirimin e Kosovës dhe reagimin e fuqishëm të kombeve demokratike të botës, që rezultoi me ndërhyrjen humanitare të NATO-s. Rrjedhimisht, edhe me çlirimin e Kosovës.
Një qartësi strategjike, që përshkruan me të drejtë autori, edhe si studiues edhe si pjesëmarrës aktiv, ekzistoi edhe me procesin e zgjatur dhe me shumë vështirësi në bisedimeve për statusin e Kosovës, që njihen si “bisedimet e Vjenës”. Në atë proces me shumë kundërthënie dhe të minuar nga Serbia përmes Federatës Ruse, Kosova kishte qartësinë për “pjesëmarrje aktive për të gjetur zgjidhje” derisa Serbia synonte “pjesëmarrjen në dialog për të mos gjetur zgjidhje, rrjedhimisht për të blerë kohë”.
Për më keq, një ftesë e Hoxhajt, edhe intelektuale edhe vendimmarrëse e zbatuese, duket e “parakohshme”, sepse të menduarit strategjik këndejpari, ndjesë për lexuesin dhe për autorin, është kthyer në një “logjikë që nuk shpërblehet”.
Pikërisht për këtë, libri i Hoxhajt është me vlerë dhe trokitës.
Në një situatë si kjo e jona, sidomos gjatë viteve të fundit, politika e jashtme e Kosovës është atakuar dhe sfiduar si mos më keq në të dyja nivelet e saj. Të dy nivelet janë shtjelluar me thellësi nga autori.
Së pari, është atakuar niveli i brendshëm i politikës së jashtme. Autori Hoxhaj flet për ndërlikueshmërinë e brendshme dhe atë në hiq më pak se që nga shtatori i vitit 2010. Kur, qartësisht dhe fatkeqësisht, ndërlikueshmëria e brendshme pothuajse ka pamundësuar shfrytëzimin e momentumit të krijuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, në korrik 2010.
Në një masë e kuptueshme, Hoxhaj në librin e tij nuk ka qenë krejtësisht i përmbajtur kur përshkruan krizën e vitit 2010, e përcjellë me një proces jashtëzakonisht të lënduar të zgjedhjeve, si dhe atë që me të drejtë e cilëson si paralizë në skenën institucionale pas zgjedhjeve të vitit 2014. Pothuajse njëjtë edhe në krizën e pashembulltë tashmë njëvjeçare pas marrëveshjeve të 25 dhe 26 gushtit 2015, mbi Asociacionin dhe Demarkacionin.
Tek e fundit, libri nuk është vetëm qasje studimore, por qasje e kombinuar e autorit, prandaj edhe përshkrimet jo domosdoshmërisht neutrale janë të pranueshme për publikun dhe nuk e lëndojnë vlerën e librit.
Së dyti, është sfiduar dukshëm niveli i jashtëm. Dhe, këtu është sfiduar Kosova edhe drejtpërdrejt, edhe tërthorazi. E para dhe shumë e rëndë për Kosovën ishte “Raporti i Dick Marty”-t. Përveç se ishte një goditje nën brez, fatkeqësisht Kosova nuk arriti apo edhe nuk tentoi të krijojë një mendim strategjik për t’u përballë me një sfidim kaq të rëndë për tërësinë dhe jo vetëm për politikën e jashtme.
Më tutje, qysh në hapat e parë të ecjes së shtetit të Kosovës, përfshirë këtu edhe në politikën e saj të jashtme, ambienti i brutalitetit ndërkombëtar ka ndryshuar konsiderueshëm. Sot, bota nuk është e njëjtë me botën e vitit 2008. Ringritja e “idealeve” neo-perandorake ruse, shfaqja në nivel të paprecedent të terrorizmit ndërkombëtar, përfshirja Kosovës dhe Ballkanit Perëndimor në të ashtuquajturin “Kalifati i ISIS-it”, përfshirja e qytetarëve të Kosovës në organizata terroriste, sikurse edhe jostabiliteti në disa vende fqinje (kryesisht jostabiliteti politik në Maqedoni),
Në këtë pjesë, besoj se libri ka marrë vlerë të shtuar në hapësirën që Hoxhaj i ka dhënë, sidomos tek ndikimi rus në rajonin tonë dhe tek përhapja e ideologjisë së ekstremizmit të dhunshëm që shpie në terrorizëm. Në të dy këto sfida, bashkë me sfidat tjera tejet të rëndësishme në politikat e brendshme, Kosova duket se do të ketë një periudhë të gjatë përpara, prandaj qartësia e mendimit strategjik në këto është tejet me vlerë.
Një çështje përmbajtjesore dhe e rëndësishme, e cila është trajtuar në libër me një dozë hezitimi për t’u thelluar, është edhe aftësia e shtetit të Kosovës për zbatuar politikat. Dhe, sikurse Fukuyama e cilëson, thelbi i shtetit është zbatimi.
Në mungesë të aftësisë për të arritur thelbin, shteti, që do të duhej të ketë monopolin e përdorimit të ligjshëm të forcës në territorin e dhënë, përballet me përmbajtjen dhe shtrëngimin, në njërën anë, dhe me bindjen dhe paqtimin, në anën tjetër. Koncepte këto janë shpjeguar fillimisht nga Thomas Schelling (1966) e më pas nga Alexander George (1971), derisa veç e veç dhe me qasje të ndryshme argumentonin mbi “Diplomacinë Imponuese”.
Sa për ilustrim, Kosova përballet me përmbajtje dhe shtrëngim lidhur me zbatimin e politikave publike në komunat veriore territorialisht dhe me komunitetin joshumicë serb përmbajtjesisht.
Ndërsa, me bindje dhe paqtim lidhur me procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Për shembullin e dytë ilustrativ, sigurisht se mund të ketë pikëvështrime të ndryshme.
Por, mbi të gjitha, besoj se dialogu me Serbinë kthehet në interes të sigurisë nacionale nëse të menduarit strategjik (u mor vesh: në mungesë) arrin të përthehet në dialog për njohjen e shtetit të Kosovës dhe Marrëveshje të Madhe të Paqes dhe Bashkëpunimit midis dy shteteve.
Në një situatë të këtillë, siguria nacionale do të kalonte në një fazë tjetër të garantimit të saj. Megjithatë, me qëllim që siguria nacionale e Kosovës në mendësinë e Realpolitikës të arrihet, ruhet dhe promovohet, besoj se janë të nevojshëm edhe hapa tjerë strategjik.
Hoxhaj ofron në libër, me kompetencë, të kuptuarit e sjelljes ndërkombëtare për shtetet e vogla. Bazuar edhe në këtë shtjellim të argumentuar të tij, besoj se një kontribut strategjik për shtetin e Kosovës do të ishte thellimi dhe mirëmbajtja e përhershme e raporteve bilaterale me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sikurse edhe rikthimi në Europë.
Besoj se Kosova do të duhej të arrinte konsensus të brendshëm (që nuk besoj të jetë shumë i vështirë, megjithëse jo i dhënë) për të i) ofruar territorin për prezencë të përhershme ushtarake amerikane; ii) një plan gjithëpërfshirës në arsim dhe ekonomi (të llojit të “Planit Marshall”) 2018-2028; iii) ofrimin për funksionalizim të përbashkët kosovaro-amerikan të resurseve të veçanta ekonomike dhe njerëzore; dhe iv) heqjen e regjimit të vizave për qytetarët kosovarë me SHBA-në.
Në rrugën e saj për integrimin në organizata rajonale, anëtarësimi në NATO është më kuptimploti dhe më i rëndësishmi. Sigurisht, kjo do t’i ndihmonte fuqishëm Kosovës që të garantojë dhe promovojë vlerat dhe sigurinë nacionale. Dhe, për këtë, qartësisht do të duhej të ndërtohej të menduarit strategjik për të shmangur pengesat nga dy nivelet. Anëtarësimi në BE, pastaj, do t’i shtonte fuqinë e zgjuar të Kosovës, në kuadër të së cilës sektorë të ndryshëm qeverisës do të kishin qasje të përbashkët strategjike. Për këtë të fundit, autori Hoxhaj është mjaft kritik dhe me dozë zhgënjimi.
Në tërësi, libri jo vetëm që është i mirë dhe i vlefshëm për studiuesit dhe aktivistët publik, por, mbi të gjitha, është një platformë mendimtare për domosdoshmëritë e ndërtimit strategjik të politikës së jashtme të Kosovës.
Dhe, qartësisht, politika e jashtme kosovare, sikurse thotë Hoxhaj, është krejtësisht unike, edhe si pasojë e realitetit të vështirë të pozitës ndërkombëtare të shtetit të Kosovës. Ndërsa, suksesi i platformës për pavarësi është dukshëm edhe rezultat i ndryshimeve të mëdha rajonale dhe ndërkombëtare.
Porse, rreth një dekadë prej shpalljes së pavarësisë, realiteti ndërkombëtar është më brutal dhe më i ndërlikuar. Këtu, autori Hoxhaj synon që të vë theksin në mënyrë të dukshme, për të ftuar për mendim strategjik.