Ngritje astronomike e çmimeve në hotelet e Kievit për finalen e Ligës së Kampionëve (Foto)

Prishtinë | 09 Maj 2018 | 16:05 | Nga

Hotelet e Kievit, ku do të luhet finalja e Champions League për këtë sezon, nuk kanë hezituar të përfitojnë nga kjo ngjarje e futbollit për të fituar para, duke ngritur në mënyrë astronomike çmimet.

Madje thuhet se, ata që veçse kishin rezervuar më herët me çmimet standarde, hotelet kanë filluar t’i anulojnë ato rezervime, duke i bërë të mundshme tifozëve tjerë që të rezervojnë dhoma, por me çmimet super të larta që pësuan ngritje së fundmi.

Kështu, një hotel disa kilometra larg nga qendra e Kievit, është duke kërkuar rreth 1.300 euro për natën e 25 majit, kur çdo fundjavë e vitit, e njëjta dhomë kushton vetëm 16 euro.

Janë publikuar disa prej mesazheve, ku shihet me çfarë arsyetime bizare anulohen rezervimet që ishin bërë më herët në hotele të ndryshme.

“Nuk ka energji elektrike në hotel”, ishte përgjigja e njërit prej hoteleve, ku informon klientin se janë të detyruar ta anulojnë rezervimin, sepse nuk ka energji elektrike apo ujë në ditët e kërkuara.

“Kemi pësuar një sulm kibernetik”, është arsyetimi i hotelit tjetër, që informon klientin se për shkak të një sulmi nga hakerët më 1 maj, sistemi kompjuterik dështoi dhe datat midis 25 dhe 27 majit u rihapën prapë për rezervim, por kuptohet, tashmë me çmime të dhjetëfishuara nëse i njëjti dëshiron përsëri të bëjë rezervimin.

Po ashtu, një tifoz i Liverpool kishte treguar rastin e tij, ku ai kishte rezervuar dy muaj më herët dy natë në Kiev, madje ende pa e ditur nëse Liverpool do të shkonte në finale, por në rast se skuadra e tij mbërrinte në finale, atëherë e kishte të siguruar fjetjen. Rezervimi asokohe iu kishte konfirmuar, por gjithçka është anuluar pa kurrfarë paralajmërimi në fillim të muajit e majit.

Kurse, nëse çdokush bënë një kërkim të shpejtë përmes portaleve të hoteleve të Kievit, do të vërehet një gamë e ndryshme çmimesh, diametralisht të kundërta me netët e periudhës 25-27 maj dhe fundjavës pasuese (1-3 qershor).

Një hotel me 3 yje, 3.6 kilometra larg nga qendra, shkon nga 77 euro, në natë të zakonshme, deri në 4181 euro, për fundjavën e finales të Ligës së Kampionëve.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme