Kompanitë e njohura të mbathjeve Adidas, Nike dhe Puma i bëjnë thirrje presidentit të SHBA-së, Donald Trumo të përfundojë sa më parë luftën tregtare me Kinën duke e quajtur “katastrofike” vendosjen e tarifave të reja.
Përmes një letre drejtuar presidentit amerikan, Donald Trump, prodhuesit e njohur të atleteve iu bashkuan më shumë se 170 kompanive tjera të cilat bëjnë thirrje që mbathjet të përjashtohen nga tarifat e reja në importet e Kinës.
Administrata amerikane këtë muaj ka rritur tarifat ekzistuese në importet kineze dhe po kërcënon t’i vendosë këto tarifa pothuajse në gjitha produkteve kineze të importuara në Shtetet e Bashkuara.
Kjo do të përfshijë taksa shtesë për mallrat e konsumit si elektronikë dhe veshje, duke përfshirë atletet dhe telefonat e mençur iPhone.
Kjo masë ka shkaktuar alarm te shitësit dhe prodhuesit të cilët mbështeten në mallrat nga Kina.
“Tarifa shtesë e propozuar prej 25 për qind në atlete do të ishte katastrofike për konsumatorët tanë, kompanitë tona dhe ekonominë amerikane në tërësi”, thuhet në letrën e prodhuesve të njohur amerikanë.
Letra tha se industria e këpucëve atletike tashmë paguan 3 miliard dollarë obligime dhe se tarifat shtesë do të rrisnin kostot dhe çmimet.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump kohë më parë ka thënë se konsumatorët amerikanë mund t’i shmangin tarifat duke blerë prodhime të njëjta nga burime të tjera.
SHBA-ja dhe Kina janë përfshirë në një luftë tregtare duke vendosur tarifa ndaj njëra tjetrës.
Të dyja vendet po negociojnë për tejkalimin e situatës mirëpo ende nuk kanë arritur ndonjë marrëveshje.
SHBA-ja e akuzon Kinën për praktika të padrejta tregtare.