Kandidati nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Artan Nimani, ka mbajtur një tubim në lagjen Dardani të Gjakovës, ku u shpreh mirënjohjen për mikpritjen e jashtëzakonshme të qytetarëve.
Ai theksoi se ky moment ishte një dëshmi e gatishmërisë së qytetarëve për t’u angazhuar në ndryshimin e madh që po vjen, shkruan Ekonomia Online.
Gjatë tubimit, Nimani prezantoi ekipin e kandidatëve nga Gjakova për Kuvendin e Kosovës, të cilët garojnë nën flamurin e Koalicionit për Kosovën Fituese.
“Mikpritje e jashtëzakonshme në Dardani të Gjakovës. Dardania e Gjakovës tregoi edhe një herë shpirtin e saj të veçantë me mikpritjen e jashtëzakonshme gjatë takimit tonë. Ky moment nuk ishte vetëm një ngjarje, por një dëshmi e qartë e energjisë dhe gatishmërisë së qytetarëve për t’u bërë pjesë e ndryshimit të madh që po afrohet. Në këtë tubim madhështor, prezantuam ekipin e kandidatëve nga Gjakova për Kuvendin e Kosovës, të cilët garojnë nën flamurin e Koalicionit për Kosovën Fituese. Secili prej tyre sjell përkushtim, vizion dhe një plan konkret për të adresuar sfidat e mëdha me të cilat përballet vendi ynë. Ky është momenti që zëri juaj të dëgjohet! Më 9 shkurt, me votën tuaj për Koalicionin Fitues 137 dhe për numrin tim 25, ju bëheni pjesë e një lëvizjeje që synon zhvillim ekonomik të qëndrueshëm, investime që hapin vende të reja pune dhe mbështesin bizneset lokale”, deklaroi Nimani.
Ai ftoi qytetarët që me votën e tyre më 9 shkurt të mbështesin zhvillimin ekonomik dhe krijimin e mundësive për punësim dhe mbështetje të bizneseve lokale.
“Përmirësimi i mirëqenies sociale, me shërbime më cilësore në shëndetësi, infrastrukturë dhe përkrahje për kategori të ndjeshme, është prioriteti ynë. Gjithashtu, arsimi modern dhe i qasshëm për të gjithë do të jetë në qendër të vëmendjes, duke krijuar mundësi të barabarta për të rinjtë dhe ndërtuar themelet e një të ardhmeje të ndritur. Puna jonë për integrimin në strukturat euroatlantike do ta shndërrojë Kosovën në një shembull stabiliteti dhe progresi në rajon. Zgjedhjet e 9 shkurtit janë një pikë kthese për Kosovën. Vota juaj nuk është vetëm një akt demokratik, por një vendim i rëndësishëm për të ardhmen tonë. Ju ftoj që të na bashkoheni në këtë mision dhe të zgjidhni zhvillimin, mirëqenien dhe sigurinë”, përfundoi ai.