Nis ndërtimi i Shtëpisë së të Moshuarve në Gjinoc të Suharekës

Prishtinë | 31 Maj 2019 | 21:12 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj mori pjesë në ceremoninë e fillimit të punimeve të ndërtimit të shtëpisë së të moshuarve në fshatin Gjinoc të Komunës së Suharekës, e cila do të jetë në shërbimin e personave pa përkujdesje familjare.

Para të pranishmëve të shumtë, kryeministri Haradinaj falënderoi Halil Kastratin, shoqatën “Jetimat e Ballkanit” për rrugëtimin e tyre njerëzor për të mbledhur nga të gjithë ngapak e për t’iu dhuruar atyre që kanë nevojë.

“Kjo është një vepër shumë njerëzore, është në traditën tonë si komb, çdo herë ka qenë dhe më vjen mirë që tash po shfaqet në këtë mënyrën kaq të mirë”, tha kryeministri Haradinaj.

Kryeministri Haradinaj, më tej tha se nuk do të lënë asnjë punë në gjysmë dhe sot janë të bashkuar të gjithë pa dallim, për të vazhduar pjesën e mbetur, investim ky që shkon në 2.3 milionë euro.

“Falënderojmë gjithë ata që do ta përkrahin ndërtimin e kësaj shtëpie të pleqve dhe shpresoj shumë se së shpejti do të bashkohemi në inaugurimin e kësaj shtëpie dhe këtu të gjejnë strehë prindërit tanë, ata që kanë bërë shumë për ne e për të cilët ne kurrë nuk do të ndalemi të bëjmë aq sa kërkohet”, tha kryeministri Haradinaj.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, tha se përmbyllja e këtij projekti që e ka nisur z. Blerim Kuçi dhe po e vazhdon kryetari aktual i Komunës e ka edhe një kuptim dhe dimension tjetër dhe ai ka të bëjë me atë që gjenerata e vjetër janë ata të cilëve ne iu falënderohemi për karakterin e personalitetin tonë se kush jemi ne si njerëz dhe sigurisht që përkujdesja për të moshuarit duhet te jetë prioritet për ne.

Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, pasi falënderoi të pranishmit tha se sot jo vetëm për komunën e Suharekës, por edhe gjithë Kosovën, është një ditë me shumë rëndësi pasi sot po fillon një projekt që ka nevojë Kosova, objekt ky për ata që siç theksoi ai, na lindën, rritën e shkolluan.

Kryetari i Shoqatës “Jetimat e Ballkanit”, Halil Kastrati, tha se kanë nisur punën pa e ditur se ku do të arrijnë, me të vetmin qëllim, që t’u gjenden afër njëri- tjetrit me mundësit që i kanë.
Ai tha se në 10 vjetorin e themelimit të shoqatës po nis edhe finalizim i këtij projekti, i domosdoshëm për popullin dhe Kosovën.

Më tej, Kastrati tha se kjo shoqatë për 3 vjet e gjysmë ka ndërtuar 400 shtëpi, ndërsa vetëm tani në këtë muaj kanë nisur ndërtimin e 200 shtëpive të tjera dhe deri në fund të vitit 2019 do të finalizojnë numrin prej 800 shtëpive.

Të ngjashme