Ende pa u përfunduar autostrada “Arbën Xhaferi” dhe ende pa nisur punimet për autostradën drejtë Gjilanit, Ministria e Infrastrukturës ka nisur procesin edhe për autostradën e Dukagjinit.
Kësaj ministrie parashihet t’i kushtoj mbi 1 milion euro hartimi i projektit zbatues i kësaj autostrade, e cila do të kalojë nëpër Istog-Pejë-Deçan-Gjakovë dhe do të përfundojë në Prizren, raporton TV Arta.
Kjo autostradë do të ketë gjatësi prej 91 kilometrash. Sipas të dhënave të publikuara në Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik, përzgjedhja e kompanisë fituese është bërë përmes çmimit më të ulët të ofruar.
Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj në deklarimet e mëhershme ka thënë se autostrada e Dukagjinit do të jetë gjiganti i fundit infrastrukturor dhe që do të fillojë në 2019, kurse do të përfundojë brenda tri viteve.