Nis restaurimi dhe konservimi i xhamisë së vjetër në Brestovc të Rahovecit

Prishtinë | 08 Kor 2017 | 14:52 | Nga

Kanë filluar punimet për restaurimin dhe konservimin e xhamisë së vjetër në fshatin Brestovc të Komunës së Rahovecit.

Samir Hoxha, drejtor i Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Ministri të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, thotë se xhamia e fshatit Brestovc është i vetmi monument i evidentuar në këtë fshat i cili me varrezat e vjetra përreth prezanton një tërësi arkitekturore-shpirtërore nga fundi i shek XV.

Ai thekson se minarja e cila është e ruajtur pothuajse në tërësi paraqet një vepër më rëndësi arkitekturore – inxhinierike e ndërtuar me material vendor që u ka bërë ballë rrethanave të ndryshme gjatë historisë dhe kushteve atmosferike.

“Restaurimi dhe konservimi i xhamisë në fshatin Brestovc të Komunës së Rahovecit është dëshmi e përkushtimit institucional që duke e involvuar në këtë proces edhe komunitetin e fshatit po tregojmë përpjekjet tona të përbashkëta në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore që ka vendi ynë”, ka thënë Hoxha, shkruan koha.net.

Qëllimi kryesor i këtij projekti, sipas tij, është studimi dhe evidentimi i dëmeve të shkaktuara gjatë kohës si dhe ruajtja e gjendjes ekzistuese.

Ai thotë se ndërhyrjet në monument po bëhen duke sanuar pjesët e mbetura që do të ndikojë në ruajtjen e saj nga faktorët tjerë rrezikues dhe në sigurimin e jetëgjatësisë së monumentit për gjeneratat e ardhshme.

“Me këto ndërhyrje restauruese-konservuese synohet bashkëveprimi i institucioneve të vendit në këtë rast Qendrës Raonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren dhe komunitetit të këtij fshati si shfrytëzues të përhershëm të këtij monumenti që të sjellim rezultate në dobi të monumentit në rend të parë, por gjithsesi me këtë rast të ndikojmë edhe në vetëdijesimin e popullatës për ruajtjen e trashëgimisë por edhe promovimin e turizmit kulturor”, ka thënë Hoxha.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme