Në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve ka nisur procesi i rinumërimit të 1472 vendvotimeve pas vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), raporton EkonomiaOnline.
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi ka thënë se ka thënë se do të punojnë në dy ndërrime dhe se partitë mund të dërgojnë vëzhguesit e tyre në secilën tavolinë.
“Në këto momente po fillon procesi i rinumërimit pas vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa. Pasi e kemi marrë vendimin e PZAP-it dhe pasi kemi parë me vëmendje listën e vendvotimeve që duhet të rinumërohen, mund t’iu them se janë: 1 mijë e 428 vendvotime që do të rinumërohen gjatë ditëve në vazhdim. Pra, nga lista e PZAP-it 30 vendvotime ishin të shënuara nga dy herë dhe 12 vendvotime të tjera janë rinumëruar më parë në QNR me vendim të KQZ-së”, tha ai.
Ai bëri të ditur se kanë shtuar kapacitetet logjistike në mënyrë që ky proces të përfundojë sa më shpejtë.
“Qendra e Numërimit dhe Rezultateve do të punojë në 2 ndërrime si dhe është shtuar numri i tavolinave apo njësive të numërimit nga 23 në 32, në mënyrë që të arrijmë që sa më shpejt të përmbyllim të gjithë këtë proces. Për të vëzhguar procesin e rinumërimit janë njoftuar edhe subjektet politike, të cilat mund të dërgojnë nga 1 vëzhgues për secilën njësi numërimi. Për rinumërimin e këtyre vendvotimeve që janë 1428 janë shtuar edhe 9 tavolina për të përfunduar më shpejt rinumërimi”, tha ai