Fillon numërimi i rreth 15 500 votave me kusht, rezultatet për kryetarë mund të shpallen nesër

Prishtinë | 26 Tet 2021 | 11:19 | Nga Ekonomia Online

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka filluar me numërimin e votave me kusht dhe votave të personave me nevoja të veçanta, të cilat i takojnë Zgjedhjeve Lokale të 17 tetorit.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka thënë para mediave se sipas të dhënave bëhet fjalë për rreth 15 mijë e 500 vota me kusht dhe vota të personave me nevoja të veçanta.

“Gjatë ditës së sotme në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve do të bëhet numërimi i votave me kusht dhe atyre të personave me nevoja të veçanta. Numri përgjithshëm i fletëvotimeve që do të numërohen është 15 mijë e 482, prej të cilave numri i zarfeve me fletëvotime me kusht është 12 mijë e 960, ndërsa 2 mijë e 522 të tjera u takojnë personave me nevoja të veçanta të cilët kanë votuar përmes ekipeve mobile”, tha Elezi.

Sipas tij, nëse gjithçka shkon sipas planifikimit, numërimi i këtyre votave i hap rrugë KQZ-së për të shpallur rezultatet përfundimtare të raundit të parë të Zgjedhjeve Lokale për Kryetarë të Komunave.

“Numërimi i këtyre votave i hap rrugë KQZ-së për të shpallur rezultatet përfundimtare të Zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave. Natyrisht se kjo është e ndërlidhur me ecurinë e punëve këtu në QNR, prandaj nëse gjithçka përmbyllet sipas planit, atëherë KQZ-ja do të mundet që gjatë ditës së mërkurë, 27 tetor, të shpall rezultatet përfundimtare të raundit të parë të Zgjedhjeve Lokale për Kryetarë të Komunave”, tha Elezi.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme