Në shkollat fillore të Komunës së Kamenicës ka nisur sot shpërndarja e shujtave.
Këtë e ka bërë të ditur përmes llogarisë së tij Facebook kryetari i kësaj komunë, Qëndron Kastrati.
Ai ndër të tjera ka thënë se do të punojnë në fushën e arsimit sepse është një nga prioritetet e tyre në këtë mandat.
Në shpërndarjen e shujtave në një nga shkollat bashkë me kryetarin Kastrati ishte edhe i pari i Prishtinës, Shpend Ahmeti.
Ky është postimi i plotë i Kastratrit:
Sot po e përmbushim edhe një premtim: kifle dhe qumësht për shkollarët e ciklit të ulët. Shujtën po fillojmë ta shërbejmë sot, por besoj fort se ajo nuk do të ndërpritet as pas fundit të këtij mandati!
Gjatë vizitës së sotme bëra shumë shokë. Të gjithë të qeshur sepse vetëm me qejf mësohet. Jam frymëzuar pa masë prej atyre që po i hyjnë shkollës për t’iu hapur botës. Shkolla është vendi ku e shohim aktualitetin e së ardhmes.
Ushqimi, ngrohja e veshmbathja janë kushtet minimale për një proces normal mësimor. Do të bëjmë gjithçka që shkollarët tanë përgjatë kohës së mësimit ta kenë mendjen vetëm aty.
Arsimi është fusha me prioritetin më të lartë në Kamenicë. Reforma që po ndërmarrim është gjithpërfshirëse. Ajo ia kushton vëmendjen kryesore nxënësit, riorganizon shkollën gjeografikisht, dhe lufton klientelizmin në rekrutim të stafit për ta përmirësuar mësimnxënien.
Nëse do t’ia bëja vetë bilancin punës time, suksesin në Kamenicë do ta kisha matur pikërisht me suksesin në fushën e arsimit.