Kardiokirurgjia dhe Kardiologjia Invazive do të nisin trajtimin e infarktit dhe stentimin emergjent, 24 orë në ditë, në shtatë ditë të javës.
Kështu ka thënë ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, përmes një postimi në Facebook, ndërsa ka theksuar se trajtimi i këtij problemi shëndetësor, ndër më të shpeshtit te qytetarët tanë, do të bëhet për herë të parë në QKUK në 24/7.
“Duke i trajtuar rastet e tilla në çdo kohë, ne do t’i ulim shpenzimet e qytetarëve, do të ndalim dërgimin e tyre jashtë QKUK-së dhe, çfarë është më e rëndësishmja, do të përfitojmë në kohë që problemet e tyre kritike të trajtohen menjëherë”, ka thënë ministri.
“Në takimin punues që pata me stafin e Kardiokirurgjisë dhe Kardiologjisë Invazive, pas përgatitjeve që kemi bërë, puna do të nisë nga java tjetër. Vetëm vitin e kaluar janë shpenzuar rreth 2 milionë euro jashtë vendit për trajtimin e sëmundjeve të kësaj natyre. Sot, qytetarët tanë do t’i trajtojmë në Kosovë, kurse paratë do t’i përdorim për modernizimin e klinikave tona”, potencoi ai.