Të hënën ka nisur semestri dimëror i vitit akademik 2024/25 në Universitetin e Prishtinës. Për dallim nga vitet e kaluar, sivjet viti akademik ka filluar dy javë më herët se zakonisht, raporton Ekonomia Online.
Nisja e vitit akademik në mes të muajit shtator është e përcaktuar me Statutin e ri të këtij institucioni të arsimit të lartë, që është miratuar në korrik të këtij viti në Kuvendin e Kosovës.
Pritjet për studentët e ri në shumicën e fakulteteve kanë nisur nga ora 10:00, ndërsa nuk u vërejt interesimi i madh i studentëve.
Blertona Shahini, studente e vitit të tretë të Sociologjisë, tha për Ekonomia Online se po presin që të ulet kushti dhe të shtohen afatet, pasi sipas saj me tre afate është pak.
“Tani po presim gjëra akoma më të mira, si dhe po presim që të ulet kushti në mënyrë që studentët të zënë vitin, tek ne nuk e mbajnë afatin e pa rregullt dhe është diçka që do e donim të mbahet, dhe tre afate mendoj se janë pak sepse ka studentë që punojnë dhe që janë edhe në Universitete private”, tha ajo.