Nga ora 07:00 janë hapur vendvotimet në Komunën e Drenasit për të zgjedh kryetarin e kësaj komune në raundin e dytë të votimeve, ku në garë janë Ramiz Lladrovci nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Isa Xhemajlaj nga koalicioni Nisma-AAK.
Është hedhur edhe vota e parë në pikën e votimit “Ramiz Kiçina” në Drenas. Xhemajl Bytyqi qytetar i Drenasit tha se pret ndryshime dhe shpreson që me këto zgjedhje të bëhet edhe ujësjellësi dhe të plotësohen kushtet të cilat i mungojnë qytetarëve të kësaj komune, raporton Ekonomia Online.
Kurse menaxheri i kësaj qendre Shefqet Bytyqi ka thënë për Ekonomia Online se kësaj here ka filluar në ora 7:00 dhe votuesit kanë ardhur në këtë kohë në qendra për të votuar. Ai po ashtu ka potencuar se edhe fletëvotimet dhe kutit e votimeve të gjitha janë në rregull në “Ramiz Kiqina”.
Rreth 53 mijë votues të Drenasit kanë të drejtë të dalin sot te kutitë e votimit për ta zgjedhur njeriun i cili do ta drejtojë komunën për vitin në vijim.
Të gjithë këta votues janë të shpërndarë në 28 qendra të votimit, me 72 vendvotime, të cilat do të hapen në orën 07:00 dhe do të mbyllen në orën 19:00.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunës së Drenasit janë thirrur për shkak se ish-kryetarit të komunës, Nexhat Demaku, muajin e kaluar Gjykata e Apelit ia vërtetoi një dënim në një akuzë për krime të luftës.
Në raundin e parë të zgjedhjeve më 4 dhjetor në garë për të marrë besimin e votuesve të Drenasit ishin 6 kandidatë: Ramiz Lladrovci (PDK), Bedri Nika (LDK), Isa Xhemajlaj (NISMA), Elmi Thaçi (AKR), Vehbi Berisha (Fjala) dhe kandidati i pavarur Xhavit Drenori.
Por, asnjëri nga këta nuk fitoi mbi 50 për qind të votave për të qeverisur me Drenasin. Ndërkaq, në balotazh shkuan kandidati i PDK-së, Ramiz Lladrovci dhe ai Nismas, Isa Xhemajlaj.
Mandati i kryetarit të zgjedhur zgjat deri në fund të vitit të ardhshëm.