Në Info-Qendrën e Delegacionit të Bashkimit Evropian (BE) në Shkup u prezantua projekti “Ndal dhunës së grave në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Turqi: Zbatimi i normave dhe ndryshimi i normave”, i cili do të zbatohet në një periudhë 36 mujore në kuadër të komponentës së programit të Kombeve të Bashkuara për gratë.
Projekti i financuar nga BE-ja në vlerë prej rreth 5 milionë eurosh, filloi të zbatohet në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Turqi në muajin shkurt të këtij viti, ndërsa pritet të përfundojë në muajin janar të vitit 2020. Qëllimi i projektit është barazia gjinore, avancimi i të drejtave të grave në fusha të ndryshme, si dhe parandalimin e diskriminimit ndaj grave.
Këshilltarja shtetërore për barazi gjinore në Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale të Maqedonisë, Elena Grozdanova, bëri të ditur se projekti në fjalë do të ndihmojë dhe mbështet edhe organizatat joqeveritare që merren me të drejtat e grave, me synim që përmes aktivititeteve të ndryshme të dëgjohet zëri i gruas. Sipas saj, në periudhën e kaluar në Maqedoni është folur shumë më tepër për dhunën familjare në krahasim me dhunën ndaj gruas.
“Në Maqedoni ende ekziston niveli i ulët i ndërgjegjes së publikut dhe mirëkuptimit për çështjen e dhunës në baza gjinore, e cila nuk trajtohet në nivelin e duhur të dhunës që përjeton gruaja”, theksoi Grozdanova.
Ndërkaq, koordinatorja e përhershme e Kombeve të Bashkuara në Shkup, Louisa Vinton, theksoi se lufta e dhunës ndaj grave është prioritet kryesor për Kombet e Bashkuara. “Duhet të fillojmë përsëri me argumentin themelor, edhe gruaja është njeri dhe të drejtat e gruas janë të drejta të njeriut”, u shpreh ajo.
Nga ana tjetër, udhëheqësi i Sektorit për bashkëpunim në Delegacionit të BE-së në Shkup, Nicola Bertolini, deklaroi se ky projekt do të kontribuojë në tejkalimin e distancave mes gruas dhe burrit. “Dhuna në baza gjinore është një formë brutale e diskriminimit dhe shkelje e të drejtave fundamentale të të gjithë viktimave”, u shpreh ai.
Ndryshe, hapat e këtij projekti që do të zbatohet në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi ndërmerren në bazë të Konventës së Këshillit Evropian për parandalimin dhe luftën e dhunës familjare dhe asaj ndaj grave (e njohur si Konventa e Stambollit), e cila është themeluar në vitin 2011.